Tiranë, 22 nëntor Zhurnal.mk – Ish-kryetarja e Kuvendit dhe deputetja Elisa Spiropali ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Partisë Socialiste për ta përjashtuar nga të gjitha forumet drejtuese të partisë, vendim i marrë në mbledhjen e Asamblesë së PS-së.
Përmes një mesazhi të gjatë dhe plot metafora në rrjetet sociale, Spiropali deklaron se largimi nga pozicionet drejtuese në një mbledhje partie nuk e ka tronditur aspak. Duke e krahasuar veten me qeniet mitologjike, ajo shprehet e vendosur se nuk pendohet, nuk gjunjëzohet dhe nuk kërkon mëshirë nga askush.
Ca që s’më njohin po janë të habitur sikur çoç më ndodhi. U duket sikur ma prenë kokën. Dhe mund të jetë e vërtetë. Por s’më bën asnjë përshtypje. Jam si ato qeniet mitologjike që po më preve 1 kokë, më dalin 7 të tjera. Mirëpo, pavarësisht nga numri i kokave të prera, 1, 7, apo 17, unë nuk pendohem, nuk lutem, nuk gjunjëzohem, nuk pres mëshirë kurrë dhe prej askujt. Për mua nuk ekziston mëshira. Për mua ekziston Drejtësia.
Në vijim të reagimit të saj, ajo përdor figura historike si Perandoresha e Kinës dhe Kleopatra për të ilustruar vendosmërinë e saj, ndërsa shprehet se nuk u kushton rëndësi intrigave mediatike apo karrigeve të pushtetit.
Unë jam si dhia. Ha gjëra të zgjedhura duke u ngjitur e zbritur nëpër shkrepa, pa u frikësuar se rrëzohem nga shkëmbi, jo më të rrëzohem e ngjitem nga froni apo kolltuku, që s’më bën asnjë përshtypje. Unë ngul këmbë si mushka për diçka të drejtë. Jo me javë e me muaj, por deri në fund të frymës, deri matanë jetës e përtej vdekjes. Çfarë unë urrej me gjithë shpirt dhe e konsideroj të keqen më të rrezikshme, janë hajdutët dhe manipulatorët që mbahen për liberalë, kozmopolitë, të drejtë, të squtë, europianë, por janë tiranë.
Në mbyllje të mesazhit të saj, Spiropali i cilëson zërat dhe komentet rreth largimit të saj si “llafe kafaneje”, duke e mbyllur reagimin me një dedikim për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Unë nuk kam 1, unë kam 10 milionë zemra të kuqe të përgjakura, të cilat ua fal të gjitha 10 milionë shqiptarëve kudo ku janë, të rrahin të lira, secila me muzikën e vet, të gjitha bashkë me muzikën më të bukur të botës, atë të dashurisë së pafundme për Shqipërinë prej së cilës presim veç një shkelje syri për të bërë gjithçka. Kjo jam unë. Të tjerat janë llafe kafaneje. Dhe ka që habiten sikur çoç më ndodhi në një mbledhje.

