77 milionë euro për bujqësinë, Muja: Arkitekturë e re për mbështetjen e fermerëve

Nga D. V.
363 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 30 prill, Zhurnal.mk – Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka njoftuar se këtë vit do të ndahen 77 milionë euro për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, duke prezantuar një arkitekturë të re të skemave mbështetëse për fermerët dhe agrobizneset, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, ai tha se kjo shumë përfaqëson një qasje të re në organizimin e subvencioneve dhe zhvillimin e sektorit.

“Ajo çfarë është e rëndësishme t’ju theksojmë është që këtë vit kemi një arkitekturë të re sa i përket ndarjes së mjeteve për mbështetjen e bujqve. Në tërësi këtë vit, me vendimin e djeshëm, ne po ndajmë 77 milionë euro për të mbështetur bujkun në prodhim, gjithandej po ashtu edhe subjektet të cilat merren me përpunim, fermat dhe fermerët, po në të njëjtën kohë edhe masat për stabilizimin e tregut”, tha Muja.

Ai bëri të ditur se mbështetja do të strukturohet në tri shtylla kryesore: 59 milionë euro për pagesa direkte, 10 milionë euro për zhvillim rural dhe 8 milionë euro për stabilizimin e tregut.

“Duhet t’ju informoj që pagesat direkte këtë herë janë të strukturuara në atë mënyrë që të mbështesin bujqit, por në të njëjtën kohë edhe të administrohen sipas praktikave më të avancuara që promovohen në kuadër të politikës së përbashkët të bujqësisë të Bashkimi Evropian”, u shpreh ai.

Sipas tij, rreth 20 milionë euro do t’i dedikohen sipërfaqeve të punuara, ndërsa 34 milionë euro do të lidhen drejtpërdrejt me prodhimin.

“Jo vetëm sipërfaqet e punuara, por e rëndësishme dhe e veçantë kësaj here është që skemat do të lidhen drejtpërdrejt me prodhimin për të promovuar performancë”, theksoi Muja.

Ai shtoi se për herë të parë do të aplikohet mbështetja e rishpërndarjes për fermat e vogla dhe të mesme, si dhe një skemë e re për fermerët që aplikojnë për herë të parë.

“Po ashtu, për të mbështetur mjedisin dhe praktikat e mira bujqësore, kemi themeluar edhe një skemë të re: eko-skemën. Në kuadër të saj mbështetet bujqësia organike dhe të gjitha praktikat që i ndihmojnë bujqit për të avancuar mbrojtjen e mjedisit”, tha ai.

Duke folur për programin e zhvillimit rural, Muja theksoi se 10 milionë euro do të fokusohen në sektorë kyç.

“Ajo çfarë Kosova ka nevojë — importon shumë dhe ne kemi nevojë të zëvendësojmë importet për diçka që ne dimë dhe mund ta prodhojmë. Pra hortikultura intensive dhe të gjitha sipërfaqet e tokës të lidhura me sistemet formale të ujitjes do të mbështeten me skema të reja”, deklaroi ai.

Ai shtoi se do të mbështetet edhe sektori i pemëve, duke theksuar se vendi importon rreth 50 milionë euro pemë në vit.

“Qëllimi kësaj here është që të inkurajohet mbjellja dhe kultivimi i pemëve, sidomos ato të imta manore ku Kosova ka një përparësi konkurruese”, tha Muja.

Sipas tij, mbështetje do të ketë edhe për prodhimin e qumështit, mishit, drithërave dhe vreshtarisë, si dhe për përpunimin e produkteve bujqësore.

“Bujqit tanë kanë nevojë që të mbështeten që t’i përpunojnë prodhimet bazë dhe në të ardhmen po ashtu të përgatiten për eksport”, shtoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër