9.85 miliardë lekë për Burgjet, Bodo: Kërkohen edhe 1.6 miliardë lekë shtesë për investime

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes nevojat financiare dhe projektbuxhetin e sistemit penitenciar për vitin 2027.

Sipas saj, tavani buxhetor i parashikuar për sistemin e burgjeve për vitin e ardhshëm është 9.85 miliardë lekë, nga të cilat 9.33 miliardë lekë janë planifikuar për shpenzime korrente dhe 518.7 milionë lekë për investime kapitale.

“Dua të theksoj se prioriteti ynë është të garantojmë jo vetëm vijimësinë e funksionimit të sistemit, por edhe të krijojmë kushtet për përmirësimin gradual të infrastrukturës, forcimin e sigurisë dhe përmirësimin e kushteve të personelit. Për vitin 2027, tavani buxhetor i parashikuar për sistemin e burgjeve është 9.85 miliardë lekë. Nga ky total, rreth 9.33 miliardë lekë janë planifikuar për shpenzime korrente, ose 94.74%, ndërkohë rreth 518.7 milionë lekë për investime kapitale, ose 5.26%.

“Në strukturën e shpenzimeve korrente, rreth 6.9 miliardë lekë janë parashikuar për paga dhe sigurime shoqërore, ndërsa 2.43 miliardë lekë për shpenzime të tjera korrente. Në këtë kategori parashikohet një rritje prej rreth 33 milionë lekësh e ndarë në 25 milionë lekë kryesisht për përballimin e shpenzimeve të energjisë elektrike, dhe rreth 7 milionë lekë për artikullin 606 për kompensimin e punonjësve në reformë dhe ndihmë ekonomike”, tha ajo.

Ndërkohë, investimet kapitale parashikojnë financimin e disa projekteve infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e IEVP Kukës, rindërtimin e godinës L në IEVP Fushë-Krujë dhe ndërtimin e spitalit për personat e dënuar me masë mjekësore të mjekimit të detyruar në Lezhë.

“Sa i përket investimeve kapitale për vitin 2027, fondi i planifikuar është rreth 518.7 milionë lekë, i shpërndarë sipas projekteve prioritare. 27 milionë lekë për studime dhe projektime, 207.7 milionë lekë për ndërtimin e IEVP Kukës, 60 milionë lekë për rindërtimin e godinës L në IEVP Fushë-Krujë, 220 milionë lekë për ndërtimin e spitalit për të dënuarit me mjekim të detyruar në Lezhë, 11 milionë lekë për zëvendësimin e pajisjeve të ndryshme të amortizuara të sistemit të burgjeve”, tha ajo.

Bodo tha se kërkesa shtesë për investime kapitale është rreth 1.615 miliardë lekë.

Gjatë raportimit, Bodo bëri të ditur se kapaciteti i përgjithshëm i institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale është 5,293 persona, ndërsa aktualisht janë të akomoduar 4,250 persona.

“Numri aktual i personave të akomoduar është 987 persona më i ulët se kapaciteti total, çka do të thotë se shfrytëzimi i kapaciteteve rezulton me rreth 81.4%. Për rrjedhojë, aktualisht nuk evidentohet mbipopullim në nivelin e përgjithshëm të sistemit penitenciar”, tha ajo.

Sa i përket burimeve njerëzore, Bode tha se “sistemi penitenciar ka një organikë të miratuar prej 4,524 punonjësish, nga të cilët 3,434 i përkasin strukturave të Policisë së Burgjeve dhe 1,090 prej tyre janë pjesë e personelit civil.

Megjithatë, sipas saj “aktualisht rezultojnë 445 pozicione vakante ose rreth 10% e shifrës totale të organikës së miratuar”.

artikuj të ndërlidhura