Fëmijët në vend të edukimit përballen me mungesë ushqimi, e ardhme e trishtë për vendin!

nga I.A

Shkup, 16 qershor – Një në tre fëmijë në Maqedoninë e Veriut jeton nën pragun kombëtar të varfërisë. Më e dhimbshme akoma, rreth 40% e tyre përballen me varfëri shumëdimensionale një realitet që nuk matet vetëm me të ardhurat, por edhe me mungesën e shërbimeve bazë si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja sociale. Të dhënat tronditëse të raportit të fundit nga UNICEF nuk janë vetëm shifra ato janë kambana alarmi që dëshmojnë se një pjesë e madhe e brezit të ri është duke u lënë pas në heshtje, shkruan Zhurnal.

Cili është faji i fëmijëve që duhet të jetojnë në varfëri ekstreme?

Në një shtet që synon integrimin në Bashkimin Evropian, nuk mjafton vetëm harmonizimi i legjislacionit. Varfëria e fëmijëve është pasqyra më brutale e pabarazisë sociale, e cila rrezikon të përkthehet në një jehonë të re të varfërisë së trashëguar. Kur fëmijët nuk mund të ndjekin arsimin e detyrueshëm, nuk marrin kujdes shëndetësor cilësor apo nuk kanë qasje në shërbime mbështetëse, atëherë e ardhmja e tyre dhe e vetë shoqërisë mbetet e paralizuar.

Fëmijët romë, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta, janë më të ekspozuarit ndaj kësaj varfërie strukturore. Për shembull, vetëm 9% e fëmijëve romë të moshës 3–6 vjeç janë të regjistruar në kopshte publike, krahasuar me 37% të popullsisë së përgjithshme. Kjo mospërfshirje në arsimin e hershëm është një ogur i keq për të ardhmen e tyre, sepse i privon nga përgatitja bazë që u nevojitet për të pasur sukses në sistemin arsimor.

Por përtej shifrave, problemi qëndron në sistemet që nuk janë ndërtuar për të përfshirë më të dobëtit. Shërbimet janë të fragmentuara, procedurat burokratike janë komplekse, ndërsa bashkëpunimi ndërinstitucional lë shumë për të dëshiruar. Pa një vizion të përbashkët dhe angazhim konkret politik, çdo strategji rrezikon të mbetet vetëm në letër.

UNICEF dhe institucionet vendase kanë hartuar një plan gjithëpërfshirës të quajtur Garancia Evropiane për Fëmijët, që përfshin masa si shërbime të integruara përmes një pike të vetme hyrjeje, rritje të ndihmës financiare për familjet në nevojë, shtrirje të mbështetjes përmes vizitave në shtëpi dhe reformim të buxheteve publike për arsim dhe shëndetësi. Por mbetet pyetja: a ka vullnet politik dhe buxhet të mjaftueshëm për ta vënë këtë vizion në jetë?

Nëse nuk merren masa të shpejta dhe konkrete, rrezikojmë të krijojmë një gjeneratë të humbur fëmijë që në vend të edukimit përballen me mungesë ushqimi, që në vend të kujdesit përballen me dhunë, që në vend të mundësive përballen me mure.

Varfëria nuk është vetëm mungesë e të ardhurave, por një rrjet i dendur përjashtimesh që i mbyll derën jetës së dinjitetshme. Prandaj, zgjidhjet nuk mund të jenë fragmentare. Ato duhet të jenë të integruara, të qëndrueshme dhe të drejtuara me prioritet të padiskutueshëm që çdo fëmijë në Maqedoninë e Veriut të ketë një të ardhme që ia vlen të ëndërrohet. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More