Shkup, 4 shtator – Dëmtimi i veturës së gazetarit Naser Selmani është një kërcnim i hapur dhe direkt ndaj fjalës së lirë. Andaj, çdo kush që ka ngritur dorë ndaj medias së lirë dhe gazetarëve, duhet të dijë se luftën e ka të humbur. Është koha e fundit që gazetarët të lihen të lirë për të kryer punën e tyre, apelon “Zhurnal.mk”.
Dëmtohet makina e gazetarit Naser Selmani në Shkup: “Tentativë për frikësim, por nuk do të hesht”
Gazetari Naser Selmani ka bërë të ditur se një person i panjohur ka dëmtuar me thikë gomën e makinës së tij të parkuar para ndërtesës ku jeton në Shkup. “Nuk i kam borxh askujt dhe nuk kam konflikt me askënd. Rastin e paraqita në polici dhe njoftova personalisht ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, nga i cili kërkova zbardhjen e autorëve dhe inspiratorëve të këtij akti kriminal”, shkroi Selmani. Ai tha se ministri i ka premtuar se policia do të punojë për zbardhjen e rastit. Selmani theksoi se është gazetar, qytetar i zakonshëm dhe anëtar i Lëvizjes “Bota Shqiptare”, duke nënvizuar se nuk është pjesë e asnjë partie politike. Gazetari u bëri thirrje kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderëve të partive shqiptare të dënojnë sulmin, të cilin e cilësoi si akt të shëmtuar kundër lirisë së fjalës. Selmani tha gjithashtu se nëse institucionet nuk mbrojnë qytetarët, ai do të kërkojë mbrojtje nga organizatat ndërkombëtare, si dhe nga Shqipëria dhe Kosova, për gazetarët dhe shqiptarët e rrezikuar në Shkup.
Liria e shprehjes jo në nivelin e duhur!
Freedom House ka publikuar raporte dhe analiza të shumta mbi vendin në lidhje me progresin demokratik dhe lirinë e Maqedonisë së Veriut. Ndërsa vendi është demokratik, raportet e Freedom House vazhdimisht nxjerrin në pah mangësi të rëndësishme, duke përfshirë çështjet e pavarësisë dhe integritetit gjyqësor, shqetësimet rreth korrupsionit sistemik, ndikimin e medias nga interesat politike dhe të biznesit, dhe polarizimin brenda peizazhit politik dhe etnik.
Këto çështje janë dokumentuar në raportet e fundit, të tilla si raporti i Kombeve në Tranzicion 2024 dhe raporti i Kombeve në Tranzicion 2023, të cilat ofrojnë një vlerësim të detajuar të situatës së vendit.
Maqedonia e Veriut vlerësohet si një vend “Jo Plotësisht i Lirë” nga Freedom House, me një pikë totale prej 67 nga 100 në raportin e tyre vjetor Freedom in the World. Kjo tregon se vendi ka disa çështje demokratike, siç janë korrupsioni, polarizimi politik dhe presioni ndaj gazetarëve dhe aktivistëve, megjithëse ka një sistem qeverisës demokratik dhe elektorate të lira. Megjithëse ka diskurs të gjallë publik, gazetarët dhe aktivistët përballen me presion dhe frikësim, shkruan “Zhurnal.mk”.
Mjaft më me kërcënime ndaj gazetarëve
Intelektualë, shoqata të gazetarëve, diplomatë dhe idividë të ndryshëm kanë reaguar pas kërcënimeve të fundit ndaj mediave. Kjo është edhe një tregues se punonjësit e mediave janë nën nkërcënim të vazhdueshëm, dhe kryesisht këto sulme janë të motivuara nga shkrimet dhe tekstet ku janë përfshirë persona nga politika.
Këto forma të ndryshme dhe presioni ndaj gazetarëve, të cilëve u është cenuar siguria duhet të marrin fund sa më shpejt. Nëse nuk merren masa të duhura, kjo mund të eskalojë dhe të çojë edhe në dhunë ndaj gazetarëve.
Edhe pse ka premtime publike nga politikanët se këto kërcënues do të arrestohen dhe do të zbulohen, sërish organet e rendit shumë ngadalë po e bëjnë punën e tyre dhe deri tani nuk kemi asnjë person të dënuar që i ka kërcënuar gazetarët. Këto sjellje janë rrezik nga sulmet dhe pasojat e pakontrollueshme për shëndetin dhe jetën e atyre që ushtrojnë profesion publik dhe kanë rol mbrojtës të interesit publik dhe proceseve demokratike në shtet.
Prandaj kjo thirrje drejt politikanëve dhe subjekteve të tyre politike është që të veprojnë në mënyrë parandaluese dhe të ndihmojnë në frenimin e dukurisë së shtuar dhe alarmante gjatë kohëve të fundit, shkruan “Zhurnal.mk”.