Mexhiti: Studentët e universiteteve shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria bëhen bashkë në Çair

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Në palestrën sportive “Shaban Tërstena” në Çair sot ka nisur Universiada Mbarëkombëtare “Çair 2026”, e cila për dy ditë do të bashkojë studentë dhe ekipe sportive nga universitetet shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, bëri të ditur se në këtë aktivitet sportiv marrin pjesë ekipe universitare nga Shkupi, Tetova, Prishtina, Tirana dhe Vlora, të cilat do të garojnë mes vete në disiplina të ndryshme sportive.

Sipas Mexhitit, përveç garave sportive, Universiada paraqet edhe një mundësi për studentët që të njihen mes vete, të vizitojnë Çairin dhe të krijojnë bashkëpunime e lidhje që mund të vazhdojnë edhe pas përfundimit të aktivitetit.

Ai theksoi se investimet në sport dhe hapësirat publike janë në funksion të të rinjve, ndërsa organizimi i aktiviteteve të tilla e shndërron Shkupin në një pikë takimi për studentët shqiptarë nga rajoni.

Mexhiti falënderoi Universitetin “Nënë Tereza” dhe Këshillin Organizativ për organizimin e Universiadës, duke vlerësuar se pjesëmarrja e universiteteve dhe federatave nga Kosova dhe Shqipëria krijon mundësi për vazhdimin e bashkëpunimit përmes garave dhe aktiviteteve të përbashkëta gjatë gjithë vitit.

Në fund, kryetari i Çairit u uroi mirëseardhje të gjitha ekipeve pjesëmarrëse dhe suksese në garat e Universiadës Mbarëkombëtare “Çair 2026”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër