VLEN: Albrim Hoxha forcon bashkëpunimin strategjik për bujqësi të qëndrueshme

Nga B.M
643 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 janar – Zhvillimi i bujqësisë si shtyllë strategjike e ekonomisë mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë dhe të VLEN. Në këtë frymë, zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, realizoi një takim tejet të rëndësishëm dhe përmbajtësor me delegacionin nga Republika e Turqisë, të kryesuar nga deputeti i Izmirit nga AK Parti, Rifat Sait.

Gjatë këtij takimi të nivelit të lartë, u theksua potenciali i jashtëzakonshëm i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për zhvillimin dhe modernizimin e sektorit të bujqësisë, me fokus të veçantë në avancimin e kulturave bujqësore, veçanërisht drithërave dhe kulturave kopshtare, si dhe në aplikimin e metodave bashkëkohore dhe inovative për prodhim të qëndrueshëm dhe konkurrues.

Zëvendësministri Hoxha vuri në pah rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe nxitjen e investimeve strategjike në bujqësi, si faktorë kyç për rritjen e prodhimit vendor, përmirësimin e cilësisë së produkteve bujqësore dhe fuqizimin real të fermerëve vendas. Në këtë drejtim, u shkëmbyen përvoja dhe praktika më të mira, veçanërisht në fushën e teknologjive moderne bujqësore, menaxhimit efikas të resurseve natyrore dhe përdorimit të metodave inovative në kultivim.

VLEN vlerëson lart angazhimin dhe vizionin e zëvendësministrit Albrim Hoxha, duke e konsideruar këtë takim si një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm drejt modernizimit të sektorit bujqësor dhe rritjes së konkurrueshmërisë së tij. Gatishmëria institucionale për mbështetjen e projekteve konkrete dhe afatgjate dëshmon përkushtimin serioz për zhvillim të qëndrueshëm dhe rezultate të prekshme për fermerët.

Ky takim përfaqëson një kapitull të ri në forcimin e marrëdhënieve me Republikën e Turqisë dhe hap horizonte të reja për zhvillimin e bujqësisë, duke krijuar mundësi reale për rritje ekonomike, siguri ushqimore dhe përmirësim të kushteve për prodhuesit bujqësorë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër