Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trupë gjykuese të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, vendosi sot pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq themeli të kryebashkiakut të Tropojës, Rexhë Byberi dhe zëvendësit të tij, Abedin Kërnaja.
Rexhë Byberi dhe Abedin Kërnaja akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim. Në gusht të vitit të kaluar, GjKKO vendosi detyrim paraqitje një herë në muaj për ta.
Çështja në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të gjykohet me tjetër trupë gjykuese.
Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të përfshira në 6 volume hetimore (përveç deklarimeve të shtetasve të pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes).
Konkretisht, ata akuzohen nga SPAK për moszbatimin e procedurave ligjore gjatë ndërtimit të rrugës “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules”, që ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 277 milionë lekësh.

