Ligjet miratojnë kërkesën e KQZ-së për 47 punonjës me kohë të pjesshme

nga D. V.

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi sot strukturën dhe organikën e pagave të punonjësve me kohë jo të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për përpunimin e dokumentacionit zgjedhor.

Gjatë mbledhjes së sotme, drejtoresha e Përgjithshme e Administrimit Zgjedhor në KQZ, Jona Josifi bëri të ditur se bëhet fjalë për 47 punonjës me kohë të pjesshme.

Sipas saj, KQZ kërkon të angazhojë staf me kohë të pjesshme për dy proceset zgjedhore që u mbyllën gjatë vitit 2025, konkretisht për zgjedhjet për Kuvend të 11 majit dhe për zgjedhjet e pjesshme vendore.

“Punonjësit do të angazhohen për hapjen e kutive dhe administrimin e gjithë dokumentacionit zgjedhor, si dhe për arkivimin dhe administrimin e dokumentacionit zgjedhor ndër vite, në këtë rast do të duhet të përpunojmë dokumentacionin e viteve 2006, 2007 dhe 2008. Procesi i arkivimit është viti i tretë radhazi që realizohet ndërkohë që hapja e kutive është detyrim që buron nga Kodi Zgjedhor”, tha ajo.

Konkretisht, Josifi bëri të ditur se 15 punonjës do të angazhohen për një periudhë 8-mujore për arkivimin, ndërkohë që procesi i hapjes së kutive të materialeve zgjedhore dhe asgjësimit të fletëve të votimit do të angazhojë 32 persona, kryesisht operatorë, punëtorë dhe specialistë logjistike.

Relatori i këtij projektvendimi, deputeti Ermal Pacaj mbështeti kërkesën e KQZ-së, ndërsa bëri të ditur se pjesa financiare do të përballohet me fondet e KQZ-së të vitit 2026.

Nga ana e tyre, deputetët e opozitës në komision shprehën shqetësimin mbi procedurat që ndiqen për asgjësimin e fletëve të votimit.

Në këtë kuadër, deputeti i PD-së Arjan Ndoja kërkoi sqarim se si veprohet me fletët e votimit në rastet kur subjektet zgjedhore kanë ankimuar çështjen në SPAK.

“Për subjektet që kanë bërë kallëzim në SPAK, nëse në rastin eventual vendoset që të rihapen kutitë dhe të numërohen, a e dëmton kjo vendimmarrje administrative  e asgjësimit të materialeve, procesin tjetër”, pyeti Ndoja.

Josifi sqaroi se procesi nuk dëmtohet sepse të gjitha kutitë që janë në hetime, KQZ ka detyrimin ligjor të mos i prekë. “Mbeten aty deri në përfundim të proceseve gjyqësore. Me çdo gjë tjetër për të cilën nuk ka një proces të hapur, ne vijojmë punën”, sqaroi ajo.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More