LVV kritikon kërkesën e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Nga B.M
519 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një akt politik dhe jo si kërkim të drejtësisë.

Në një reagim publik, Vetëvendosje ka theksuar se Jugosllavia e Serbisë së Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se UÇK-ja ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale, duke mbrojtur popullin shqiptar. Sipas kësaj partie, kërkesa për dënime prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e UÇK-së paraqet një ndërhyrje politike në interpretimin e historisë dhe përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen nga agresori te viktima.

LVV shton se përpjekjet për ta paraqitur UÇK-në si ndërmarrje kriminale synojnë kriminalizimin e luftës çlirimtare dhe depolitizimin e saj, duke e reduktuar në çështje penale individuale. Sipas tyre, krimet kundër njerëzimit kërkojnë aparat shtetëror dhe mekanizma sistematikë dhune, të cilat UÇK-ja nuk i ka pasur asnjëherë.

Partia ka theksuar se drejtësia ndërkombëtare historikisht ka ndëshkuar aparate shtetërore dhe udhëheqje politike e ushtarake që kanë ushtruar dhunë sistematike, duke përmendur raste nga tribunale dhe gjykata ndërkombëtare. Sipas reagimit, barazimi i luftës çlirimtare me krimet e regjimeve gjenocidale përbën shtrembërim të historisë dhe relativizim të agresionit serb.

Vetëvendosje ka kritikuar gjithashtu Gjykatën Speciale, duke thënë se ajo është produkt i presioneve politike dhe interesave gjeopolitike, dhe se drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe e njëanshme. Sipas tyre, një drejtësi e tillë nuk shëron plagët, por i thellon ato.

Në fund, Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se çlirimi nuk është krim dhe se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet përmes aktakuzave që, sipas tyre, i shërbejnë narrativës së agresorit, duke shtuar se drejtësia e vërtetë kërkon njohjen e legjitimitetit të luftës për liri dhe identifikimin e pushtetit të dhunës gjenocidale. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër