Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka nënvizuar lidhjet e ngushta midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës përpara nisjes së tij për në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Evropa është e rëndësishme për ne”, u tha Rubio gazetarëve.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thellësisht të lidhura me Evropën dhe e ardhmja jonë ka qenë gjithmonë e lidhur me të dhe do të vazhdojë të jetë”, theksoi ai.
“Prandaj, ne duhet të diskutojmë rreth asaj se si duket kjo e ardhme”, shtoi Rubio.
“Bota e vjetër ka ikur. Tani bota po jeton në një epokë të re gjeopolitike”, tha sekretari amerikan i shtetit.
Rubio do të marrë pjesë sot në forumin mbi politikën ndërkombëtare të sigurisë.
Më shumë se 60 liderë botërorë, së bashku me rreth 100 ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, priten në Mynih për konferencën treditore.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih të vitit të kaluar, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, bëri një kritikë të ashpër ndaj aleatëve evropianë të Uashingtonit, duke paralajmëruar se ata po rrezikonin demokracinë.
Vance iu referua në mënyrë indirekte debatit në Gjermani – në atë kohë – rreth distancimit të partive kryesore nga Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë dhe paralajmëroi për rrezikun e “mureve mbrojtëse” në Evropë.
Fjalimi shkaktoi kritika të forta në Evropë.
Në fillim të dhjetorit, Uashingtoni publikoi një strategji të sigurisë kombëtare që u pa nga vëzhguesit si një ndryshim në politikën transatlantike të SHBA-së.
Një strategji e veçantë e mbrojtjes kombëtare, e publikuar në janar, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë të vazhdojnë të luajnë një rol qendror brenda NATO-s, edhe nëse përshtatin praninë e tyre në Evropë.

