Kosova 18 vjeçe: E rritur në moshë, edhe në përgjegjësi

nga Xh M

Teksa për pak ditë bëhen 18 vite nga shpallja e pavarësisë, Radio Evropa e Lirë bën një analizë të situatës së Kosovës, duke u fokusuar te arritjet, sfidat dhe pritshmëritë që vendi ka për të ardhmen.

Artikulli vlerëson zhvillimet institucionale, progresin në integrimin euroatlantik dhe nevojën për qeverisje efektive, ndërsa shqyrton mesazhet dhe rekomandimet e ish-ambasadorëve dhe zyrtarëve ndërkombëtarë për hapat e ardhshëm të vendit.

Në moshën 18-vjeçare, një individ pritet të marrë përgjegjësi, të bëjë zgjedhje dhe të kuptojë pasojat e tyre.

Po kështu edhe Kosova, e cila këtë përvjetor jubilar e gjen midis pasigurisë dhe dilemat që sfidojnë çdo “të rritur”, por edhe me arritje që i japin të drejtën të mburret.

Hija e bllokadës së institucioneve u zhduk më 11 shkurt, pas gati një viti pritjeje, kur vendi konstituoi përbërjen e re qeverisëse. Ky boshllëk nuk ishte thjesht një vonesë procedurale, por paralizoi vendimmarrjen dhe ngushtoi hapësirën për veprim.

Për 18 vitet e fundit, inatet politike, përplasjet dhe interpretimet selektive të rregullave kanë bërë që shpesh mundësitë të humbin, por Kosova ka treguar gjithashtu se di të ndërtojë institucione dhe të arrijë rezultate kur ka koordinim dhe vullnet.

Një vend i njohur nga mbi 120 shtete, pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe aktiv në sport, kulturë dhe art, Kosova ka treguar se mund të afirmohet edhe jashtë kufijve. Ish-ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier thotë se qytetarët e Kosovës “e meritojnë të përgëzohen për përparimin e jashtëzakonshëm në konsolidimin e shtetit të tyre sovran dhe të pavarur”.

Megjithatë, si një 18-vjeçare në një botë ku rrethanat gjeopolitike ndryshojnë shpejt, Kosova përballet me pritje të qarta dhe duhet të vendosë me kujdes hapat e saj të ardhshëm. Prioritetet kryesore, sipas Hovenier, përfshijnë:

Integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, progresi drejt BE-së dhe NATO-s varen nga përpjekjet e besueshme dhe të përgjegjshme të Kosovës dhe reagimi i partnerëve kryesorë.

Konsolidimin e institucioneve dhe qeverisjen efektive, periudha gati 1-vjeçare e qeverisjes së përkohshme ka sjellë humbje mundësish, ndërsa tani kërkohet një qeverisje stabile dhe strategji ekonomike ambicioze.

Rritjen e besimit ndërkombëtar dhe marrëdhëniet me komunitetin serb, qeveria e re duhet të rifitojë besimin e SHBA-ve dhe partnerëve evropianë, të punojë për njohje të plotë ndërkombëtare dhe të ofrojë një shkallë të qeverisjes lokale për komunitetin serb, pa e trajtuar si “kolonë të pestë”, sipas ish-zyrtarit të NATO-s, Jamie Shea.

Sfidat mbeten, por Kosova ka treguar se di të ndërtojë dhe të arrijë rezultate kur ka koordinim dhe vullnet. Perspektiva për të ardhmen varet nga përqendrimi te integrimi, qeverisja dhe diplomacia efektive ndërkombëtare.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More