Editorial / Çfarë na solli kryeministri nga Mynihu!

nga Redaksia

Shkup, 16 shkurt – Kryeministri Hristijan Mickoski në kuadër të Forumit të Sigurisë në Mynih ka patur një sërë takimesh të rëndësishme, por mbi të gjitha mesazhi i vetëm që ka dërguar tek liderët europian është se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane, por se edhe ky vend meriton një proces dinjitoz dhe parimor, të bazuar në vlerat evropiane, jo në kushtëzime dypalëshe. Ndër fokuset kryesore ishte edhe pjesa ekonomike dhe marrëveshjet për investime të reja nga kompani evropiane, shkruan “Zhurnal.mk”.

Kryeministri si çdo herë edhe kësaj radhe njoftoi se qeveria e Maqedonisë së Veriut po punon për reforma thelbësore, siç janë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, stabiliteti ekonomik dhe një standard më i mirë jetese për qytetarët, por e ardhmja evropiane nuk është vetëm një qëllim politik, është një zgjedhje për një vend më të mirë.

Në kuadër të konferencës më të madhe të sigurisë që mbahet çdo vit, kryeministri ka pasur takime dypalëshe me udhëheqës evropianë, përfaqësues të lartë dhe drejtues të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë, duke u përqendruar në stabilitetin gjeopolitik rajonal dhe rolin e vendit tonë si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe anëtar aktiv i NATO-s.

Maqedonia e Veriut ende nuk i ka hapur kapitujt e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian, sepse kusht për këtë është përfshirja e komunitetit bullgar në Preambulën e Kushtetutës. Qeveria aktuale, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, nuk pajtohet që ndryshimet kushtetuese të bëhen pa marrë më parë garanci nga Brukseli se vendi nuk do të ketë kushte të tjera dhe një veto nga Bullgaria në rrugën e mëtejshme të Maqedonisë drejt BE-së.

Në takimin me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, kryeministri Mickoski ka diskutuar hapur dhe sinqerisht për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, por i ka bërë me dije atij se vendi i tij nuk pranon më kushtëzime dypalëshe. Edhe pse më takim ndoshta Costa më shumë ka dëgjuar se sa ka folur, sërish qëndrimet zyrtare të KE-së janë të qarta se përtej detajeve teknike të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ekziston një zgjedhje themelore politike që duhet bërë: një zgjedhje midis të mbeturit të bllokuar në të kaluarën ose të ecjes përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian, një zgjedhje midis ndarjes ose pajtimit dhe bashkëpunimit, të cilat janë shtyllat e vërteta të Bashkimit Evropian, shkruan “Zhurnal.mk”.

Bashkimi Evropian vazhdimisht riafirmon me një mesazh të qartë se e mbështesim fuqimisht të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE, por se zgjerimi mbetet qendror për qëllimet tona të përbashkëta.

Për BE-në është zgjedhja e duhur për tre arsye: së pari, nga një perspektivë gjeopolitike, ku një Bashkim Evropian i zgjeruar do të thotë një Evropë më e sigurt, më e fortë dhe më paqësore së dyti, sepse zgjerimi forcon prosperitetin e përbashkët, ku çdo zgjerim i mëparshëm e ka vërtetuar këtë dhe së treti, sepse Bashkimi Evropian mbetet një projekt tërheqës dhe i besueshëm.

Është fakt se zgjerimi tani po ecën më shpejt se në 15 vitet e fundit dhe se Maqedonia e Veriut duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi. Duke kapërcyer të kaluarën, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta marrin plotësisht rolin e tyre si anëtarë të ardhshëm të BE-së dhe të kontribuojnë për një Evropë të qëndrueshme, të begatë dhe të bashkuar.

Interesante dhe të rëndësishme janë mesazhet e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, nga Konferenca e Sigurisë në Mynih janë një sinjal i qartë për të gjithë aleatët se bota nuk funksionon më sipas rregullave të vjetra.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mbeten të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme, por Maqedonia e Veriut duhet ta ndërtojë të ardhmen përmes seriozitetit dhe respektit të ndërsjellë. Qeveria duhet të vazhdojë të ngelet e përkushtuar për të forcuar imazhin e vendit në bashkësinë transatlantike, duke qenë e gatshme t’iu përgjigjet sfidave, të modernizojë mbrojtjen dhe të sigurojë një të ardhme të sigurt për qytetarët.

Përveç pjesës politike, kryeministri nga Mynihu pati takime me investitorë të huaj. Në mesin e tyre është kompania hungareze e telekomunikacionit “4iG”, në të cilin u diskutua një paketë prej 100 milionë eurosh investimesh në disa fusha në vend. Kompania “One Macedonia Telecommunications” e kompanisë hungareze “4iG ” u zgjodh së fundmi si ofertuesi më i volitshëm në tenderin për zgjedhjen e operatorit të tretë celular në vend. Përveç telefonisë, 4iG do të investojë 100 milionë euro në fushat e inteligjencës artificiale dhe energjisë.

Në një takim pune me menaxhmentin e gjigantit gjerman “Schwarz Group”, në kuadër të të cilit operojnë markat e famshme botërore “Lidl” dhe “Kaufland”, u njoftua se shumë shpejt do të ketë investime të reja, por pa bërë të ditur detaje konkrete.

Në përgjithësi, kësaj radhe në Mynih, kryeministri më shumë u fokusua në çështjet ekonomike se sa në ato politike. Megjithatë ai e shfrytëzoi momentin edhe një herë të ankohet për padrejtësinë që i bëhet Maqedonisë së Veriut, por kësaj radhe duket se Evropa edhe pse e kupton qartë se me Maqedoninë e Veriut nuk është treguar korrekte me premtimet e saj, sërish nuk janë në gjendje të thyejnë rregullat dhe të ndryshojnë ligjet e anëtarësimit. Bullgaria vazhdon të mbetet problemi kryesor!, shkruan “Zhurnal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More