GAP publikon raportin “Projektbuxheti 2026 – Analizë e të hyrave dhe shpenzimeve”

Nga B.M
395 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Instituti GAP ka publikuar raportin “Projektbuxheti 2026 – Analizë e të hyrave dhe shpenzimeve” Qeveria e Kosovës miratoi me 12 shkurt 2026 projektbuxhetin e vitit 2026. Versioni i miratuar është i njëjti me atë që Qeveria në detyrë e kishe miratuar me 31 tetor 2025 dhe nuk reflekton strukturën e Qeverisë së re, që tani do të ketë 19 ministri.  Po ashtu, ata GAP vlerëson se ky projektbuxhet nuk është përgatitur bazuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), e cila nuk është miratuar dhe publikuar fare për periudhën 2026–2028.

Komunikata e plotë:

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Projektbuxheti 2026 – Analizë e të hyrave dhe shpenzimeve” Qeveria e Kosovës miratoi me 12 shkurt 2026 projektbuxhetin e vitit 2026. Verzioni i miratuar është i njëjti me atë që Qeveria në detyrë e kishe miratuar me 31 tetor 2025 dhe nuk reflekton strukturën e Qeverisë së re, që tani do të ketë 19 ministri.  Po ashtu, ky projektbuxhet nuk është përgatitur bazuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), e cila nuk është miratuar dhe publikuar fare për periudhën 2026–2028.

Buxheti i Kosovës për vitin 2026 parasheh gjithsej shpenzime rreth 4 miliardë euro, një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2025. Shpenzimet rrjedhëse pritet të rriten për 279 milionë euro (+11%) dhe të arrijnë në rreth 2.9 miliardë euro, duke zënë 73% të buxhetit, ndërsa shpenzimet kapitale rriten për 67.1 milionë euro (+7%) dhe kapin vlerën 998.4 milionë euro, ose 25% të buxhetit. Gjatë periudhës 2019-2025, shpenzimet për subvencione dhe transfere pothuajse janë dyfishuar si vlerë, ndërkaq investimet kapitale janë rritur vetëm për rreth 35%. Ky zhvillim i tillë kufizon mundësinë për të investuar në projekte infrastrukturore, ndonëse investimet publike kanë një efekt multiplikues shumë të lartë në ekonomi. 

Buxheti total i nivelit qendror, pa përfshirë pagesat për interesin e borxhit publik, do të jetë rreth 3 miliardë euro (+9.6% krahasuar me 2025), ndërkaq ai i nivelit lokal rreth 867 milionë euro (+10.1% krahasuar me 2025). Pjesa më e madhe e rritjes së buxhetit tek niveli qendror (ministror) në vitin 2026 shkon tek Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, që do të ketë rritje prej rreth 174 milionë eurove apo 17%. Krahasuar me vitin 2025, tek kjo ministri, kategoria e pagesave për pensione planifikohet të rritet për 95 milionë euro apo 20% në vitin 2026, skema për lehonat dhe shtesat për fëmijë për 75 milionë euro apo 52%, duke arritur në 220 milionë euro si skemë, etj. Buxheti për shëndetësi në vitin 2026 parashihet të arrijë në rreth 396 milionë euro, me rritje prej 10% krahasuar me vitin 2025, kurse buxheti për arsim arrin në rreth 408.7 milionë euro, apo 6% më shumë se në vitin 2025. Ndërkaq, buxheti për sektorin e drejtësisë shënon rritje prej rreth 2%, kryesisht për institucionet e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Në sektorët tjerë, buxheti nuk dallon shumë nga viti i kaluar, si dhe nuk adresohen nevojat nga aspekti buxhetor për zbatimin efektiv të strategjive kyçe për ekonominë tonë, sikurse për Strategjinë e Energjisë.

Për herë të parë në projektbuxhet përfshihet edhe paga e 13-të për sektorin publik. Megjithëse rritja e përgjithshme e faturës së pagave mbetet brenda kufijve të lejuar fiskalë, ajo nuk është në harmoni me Ligjin e pagave dhe përfaqëson ndërhyrje ad-hoc në politikën e pagave, siç ishte rasti edhe vitin e kaluar me ndryshimin e koeficientëve.

Mbi 81% e buxhetit të projekteve kapitale në vitin 2026 është për projektet që do të vazhdojnë nga vitet e kaluara, ndërsa projektet e reja mbeten të kufizuara si në numër ashtu edhe në vlerë dhe kryesisht janë projekte të vogla Edhe pse në vitet 2024 dhe 2025 është shënuar përmirësim në shkallën e realizimit të investimeve, nivelet e fondeve të pashpenzuara mbeten të larta marr parasysh nevojën në ekonomi për investime. Mosrealizimi i investimeve kapitale ka krijuar kosto të konsiderueshme oportune për ekonominë dhe qytetarët. Vetëm gjatë periudhës 2021–2024, realizimi i investimeve kapitale ka qenë rreth 1 miliard euro më i ulët se planifikimi, duke reflektuar dobësi të vazhdueshme në planifikimin dhe zbatimin e projekteve kapitale.

Shpërndarja e investimeve kapitale nga niveli qendror në komuna vazhdon të jetë joproporcionale me popullsinë dhe sipërfaqen, ndonëse më e balancuar nga aspekti partiak, duke nxjerrë në pah pabarazi. Po ashtu, janë 11 komuna që e kanë miratuar buxhetin e vitit 2026 me vonesë, por që Kuvendi i Kosovës ka hapësirë ligjore që t’ua ndryshojë kufijtë e buxhetit mes dy leximeve të këtij projektligjit. Një praktikë pozitive në projektbuxhet është se Ministria e Financave nuk i ka ulur buxhetet e komunave me rënie të popullsisë, duke mos i penalizuar ato dhe duke marrë parasysh se nevojat për investime mbeten të larta.

Dokumenti informues për qytetarët rreth projektbuxhetit nuk publikohet me kohë as këtë vit, ndonëse praktikat e mira kërkojnë një përmbledhje të qartë të ndryshimeve dhe politikave buxhetore. Po ashtu, projektbuxheti vazhdon të mos adresojë perspektivën gjinore, duke munguar analiza e ndikimit dhe masat për promovimin e barazisë gjinore.

Për më shumë raportin mund ta gjeni bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar këtu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër