Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo në një deklaratë nga kryesia e Kuvendit, u shpreh sot se “ndryshimet e fundit ligjore në ligjin “Për qeverisjen elektronike”, rrisin hapësirat ligjore për mungesë transparencë, kontrolli, keqpërdorim të fondeve publike dhe për rrjedhojë korrupsion shtesë”.
“Sikur të mos mjaftojë fakti se AKSHI praktikisht ka dorëzuar sot të gjithë infrastrukturën e tij tek kompani, pronarët e të cilëve janë në kërkim nga drejtësia, të provuar që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, ndryshimet ligjore të propozuara do t’i japin mundësi AKSHI-së të hyjë në shoqëri tregtare të përbashkëta me palë të treta, me privatë, në emër të rritjes së eficencës dhe profesionalizmit të shërbimeve”, tha Bozdo.
Deputeti i PD-së, nënvizoi se “hyrja në marrëdhënie tregtare, në shoqëri aksionare të përbashkëta, edhe në rastin e qëllimeve më të mira, është shumë problematike sepse modele të tilla menaxhimi praktikisht kanë dështuar gjithmonë në Shqipëri”.
“Shoqëritë e përbashkëta shtet-privat janë forma që në administrimin e pronës publike kanë 25 vjet që nuk përdoren më, sepse eksperienca ka treguar që ato nuk funksionojnë! Kush do të përcaktojë dhe me çfarë mekanizmi do të përcaktohet vlera e aksioneve? Në një kompani ku AKShI zotëron 51% të aksioneve, sa vlen pjesa e mbetur prej 49%? Kush e vendos vlerën e një aksioni, apo i lihet ajo në dorë humorit të drejtuesve të AKShI-t?”, vijoi ai.
Bozdo tha se këto kompani do të shmangin edhe sistemin e prokurimit publik, sepse zotërohen nga shteti. Deputeti Bozdo theksoi se në praktikë AKShI do t’i japë fondet pa garë një kompanie ku ai vërtet zotëron 51%, por ku gjithashtu 49% të aksioneve zotërohen nga privati.
Sipas Bozdos, “privati do ketë në dorë, me bekimin e ligjit, të dhënat sensitive të shqiptarëve. Kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë, sidomos pas skandaleve ku AKShI gjendet gjithmonë si promotor i tyre”.
“Praktikisht, kjo shpikje ligjore e bën edhe më dëshpëruese situatën katastrofike ku AKSHI ka rënë. Në vitet e fundit janë rreth 500 milionë euro të dhëna nga AKSHI për sisteme IT që sot as funksionojnë dhe ndoshta as ekzistojnë, sisteme që kanë lidhje më të dhënat sensitive, me funksione të rëndësishme të Kadastrës, me të dhëna të menaxhimit të sistemit gjyqësor, me sistemet e brendshme të informacionit të Policisë së Shtetit, të gjitha këto të vëna në dispozicion të krimit të organizuar dhe që shqiptarët ende nuk dinë si, dhe ku janë përdorur”, tha Bozdo.
“Problemi pra është shumë i madh, sepse nuk kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me megakorrupsion, çka nuk do të përbënte më lajm në Shqipërinë e Edi Ramës. Por është hera e parë, e provuar nga hetimet, që institucioni i cili është ngritur për të ruajtur sigurinë kibernetike kombëtare, për të ruajtur të dhënat sensitive dhe private të çdo shtetasi dhe të dhënat e pronësisë së tyre, i është dhënë dhuratë në tabaka, krimit të organizuar”, pohoi Bozdo, ndërsa shtoi se shteti është përballë një megakorrupsioni dhe gangrenizimi nga ana e krimit të organizuar.
