Shitën pronë me dokumente të falsifikuara, arrestohen katër persona për mashtrim mbi 1.5 milion euro

Nga D. V.
503 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arrestuar katër persona me inicialet M.M., S.B., D.R., dhe B.Z., të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”.

Në njoftim bëhet e ditur se M.M. dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ndërsa D.R. dyshohet edhe për veprën penale ‘Legalizim i përmbajtjes së rreme’.

Të pandehurit dyshohen se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke fshehur faktet relevante dhe duke e vënë në lajthim të dëmtuarin H.M, në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 1,578,180.00 euro.

“Prokurori i shtetit, ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat përkatëse, pasi ekziston dyshimi i bazuar se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht, nga Gjykata është kërkuar lëshimi i urdhrit ndalues përfundimtar për këto parcela, me qëllim të sigurimit të pronës deri në përfundim të procedurës penale.

Ndërkaq, Gjykata kompetente u ka caktuar të pandehurve M.M., S.B., D.R., dhe B.Z. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër