Shkup, 10 Mars, Zhurnal.mk – Opozitari Ziadin Sela sot iu është bashkëngjitur akuzave të BDI-së ndaj qeverisë me pretendimet se ajo është duke tentuar që të devijojë rrugën e planifikuar nga qeveritë e mëparshme të Korridorit 8 (autostradë dhe hekurudhë për t’u ndërlidhur me Shqipërinë), e ta ndërlidhë atë nga Ohri në Manastir, përkatësisht me Korridorin 10d për t’u ndërlidhur përmes tij me Greqinë.
Në një konferencë për shtyp Sela tha se qeveria e Hristijan Mickoskit po tenton që të ndalë punimet aktuale për dalje në Shqipëri, e të devijoi ato nga Ohri për në Manastir duke mos i kryer obligimet financiare ndaj kompanisë Bechtel-Enka, si mënyrë presioni ndaj saj për të ndryshuar drejtimin përfundimtar të Korridorit 8.
Sela tha se ai ka burime “të sigurta” nga brenda qeverisë se ajo “nëpërmjet kushtëzimit financiar (ndaj Bechtel Enka) mundohet që të devijojë dhe të ndalojë punimet që kanë të bëjnë me korridorin 8 dhe në këtë formë të përjashtojë, siç ka bërë çdo herë për këto 20 vite që kanë ndodhë, të përjashtoi nga këto projekte infrastrukturore gjithë Pollogun.”
“…të përjashtojë lidhjen e Tetovës, e Gostivarit, dhe Kërçovës e Strugës. Ashtu si me rastin e ndërtimit të autostradës Kërçovë -Ohër ku u devijua segmenti i Korridorit 8, në po të njejtën mënyrë tani informacionet tona flasin që Qeveria mundohet që të ndalë punimet që kanë nisur rreth Korridorit 8 dhe punimet të vazhdojnë në drejtim të ndërtimit të segmentit Ohër-Manastir, Manastir-Prilep në mënyrë që direkt të bëhet lidhja përsëri me Korridorin 10D. E kur flasim për këtë korridor, qartazi shihen tendencat për ta anashkaluar, dhe për ta lënë pa ndërtuar korridorin 8,” tha Sela.
Deklarata e sotme të Selës ka shkatuar reagim të shpejtë të qeverisë përmes të Zëvendëse-Ministres së Transportit Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Sipas saj, nuk qëndrojnë pretendimet për ulje të mjeteve financiare ndaj Bechtel-Enka për Korridorin 8.
“Sipas planprogramit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, për vitin 2026 për projektet e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d janë paraparë rreth 103 milionë euro. Nga këto mjete, mbi 60 milionë euro tashmë janë lëshuar gjatë këtij viti, në mënyrë që kompania realizuese të vazhdojë punimet në terren sipas planprogramit dhe dinamikës së paraparë. Kjo dëshmon qartë se nuk bëhet fjalë për reduktim të mjeteve, por për vazhdim të realizimit të projektit sipas planifikimit financiar dhe operacional,” tha Zekolli-Shaqiri përmes FB.
Sipas saj “realizimi i plotë i Korridorit 8 mbetet prioritet i panegociueshëm dhe do të vazhdojë deri në përfundimin e tij.”
Mirëpo, ajo tash për tash nuk pati sqarim lidhur me pjesën e fundit të korridorit 8, për shkak të pritjes së përgjegjes nga UNESCO për zonën që përfshihet afër Liqenit të Ohrit në drejtimin e rrugës së planifikuar fillimisht, deri tek kufiri me Shqipërinë.
“Sa i përket segmentit të fundit që realizon lidhjen me Shqipërinë, është e rëndësishme të theksohet se trasa e projektuar nga qeveria e kaluar nuk ka qenë e verifikuar në raport me kufizimet që lidhen me zonat e mbrojtura nga UNESCO. Kjo është një çështje që e kemi trashëguar nga vendimmarrjet e mëparshme. Megjithatë, për të vepruar me përgjegjësi institucionale, projekti me trasenë e paraparë është dërguar për shqyrtim në UNESCO dhe institucionet do të veprojnë në përputhje me vlerësimin përfundimtar,” tha ajo.
Zv-Ministrja tha se, cila do që të jetë alternative eventuale e segmentit të mbetur të rrugës së Korridorit 8 në varësi të qëndrimeve të UNESCO-s, projekti do të arrijë deri tek kufiri me Shqipërinë.
Sipas Zekolli-Shaqiri, për shkak të paqartësive në pritje rreth rregullave të UNESCO-s, aktualisht qeveria po shqyrton “edhe alternativa të tjera të mundshme, sepse realizimi i plotë i Korridorit 8 dhe lidhja me Shqipërinë mbetet prioritet strategjik dhe do të realizohet.”
