Costa: Ballkani Perëndimor drejt BE-së

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 3 nëntor Zhurnal.mk – Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka dhënë një mesazh të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se të ardhmen e rajonit e sheh brenda Bashkimit Evropian. Gjatë Samitit të Zgjerimit të BE-së 2026, Costa u shpreh se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë ende hapësirë për të avancuar në procesin e integrimit, përmes përshpejtimit të reformave të nevojshme.

Ai e cilësoi zgjerimin një investim strategjik për Evropën, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe për sigurinë, demokracinë dhe stabilitetin e kontinentit. Sipas Costës, integrimi i vendeve të reja ndihmon në kapërcimin e ndarjeve historike dhe e forcon BE-në si një aktor me peshë në zhvillimet ndërkombëtare.

Kreu i Këshillit Evropian nënvizoi se rruga drejt anëtarësimit duhet të mbështetet në meritë dhe në përmbushjen e kritereve, ndërsa paralelisht edhe vetë Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për zgjerimin e ardhshëm.

Costa bëri të ditur se çështja e integrimit të vendeve të rajonit do të jetë në fokus edhe të Samitit të katërt BE-Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet pas tri javësh. Ai përmendi gjithashtu Planin e Rritjes dhe nismat e tjera evropiane, të cilat synojnë të afrojnë ekonomikisht vendet e Ballkanit me tregun e përbashkët të BE-së.

Si hapa konkretë drejt këtij afrimi, ai renditi përfshirjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), përmirësimin e pikave kufitare, zhvillimin e infrastrukturës së transportit, bashkëpunimin digjital dhe uljen e kostove të roamingut.

Duke folur për ecurinë e negociatave, Costa kujtoi se gjatë tetorit janë zhvilluar konferenca ndërqeveritare me Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mbyllur përkohësisht kapituj të tjerë të negociatave, ndërsa Ukraina dhe Moldavia kanë avancuar me hapjen e grupkapitujve të rinj.

artikuj të ndërlidhura