Donald Trump i ka vendosur një ultimatum Iranit, duke kërcënuar se do të shkatërrojë centralet e tij elektrike nëse nuk hapet Ngushtica e Hormuzit brenda 48 orëve.
Ky veprim përfaqëson një përshkallëzim të rëndësishëm, vetëm një ditë pasi ai deklaroi se SHBA-të planifikojnë reduktimin e operacioneve ushtarake.
„Nëse Irani nuk e hap plotësisht dhe pa kërcënime Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orëve nga ky moment, SHBA do të sulmojnë dhe do të shkatërrojnë centralet e tyre elektrike, duke filluar nga më i madhi!“, shkroi Trump në rrjetet sociale një orë pas mesnatës sipas kohës së Evropës Qendrore.
Nëse Trump i realizon kërcënimet e tij, sulmet amerikane do të zgjerohen në infrastrukturën që ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të iranianëve.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e naftës botërore, është e mbyllur për shumicën e anijeve që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit tre javë më parë. Trump kërkoi ndihmë nga shtetet e tjera për sigurimin e saj, por kjo mbeti pa një përgjigje konkrete. Bllokada e kalimit 50 kilometra të gjerë dhe sulmet ndaj anijeve kanë çuar në rritjen e çmimeve globale të naftës dhe gazit.
Shtabi i komandës ushtarake iraniane “Khatam al-Anbiya” njoftoi se nëse SHBA sulmon infrastrukturën energjetike iraniane, Irani do të hakmerret me sulme ndaj objekteve amerikane të energjisë, teknologjisë informative dhe depolimerizimit (ujit të pijshëm) në rajon.
Trump edhe më herët gjatë këtij muaji e ka ngritur idenë e shkatërrimit të rrjetit elektrik të Iranit.
„Ne mund ta shkatërrojmë kapacitetin e tyre elektrik brenda një ore, dhe do t’u duhen 25 vjet për ta rindërtuar. Por, nuk do ta bëjmë këtë“, tha Trump më 11 mars.
