Sejdiu nga VLEN kritikon qëndrimet e Kadriut dhe BDI-së për formulimin në Kushtetutë për gjuhët

Nga B.M
479 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 Mars, Zhurnal.mk – Nën-Kryetari i Lëvizjes Besa nga koalicioni VLEN dhe Kryetar i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka bërë një kritikë ndaj anëtarit të Gjykatës Kushtetute Osman Kadriu dhe BDI-së për qëndrimet e tyre lidhur me formulimin në Kushtetutë që ka të bëjë me gjuhët.

Sejdiu nuk pajtohet me konstatimet e Kadriut se gjuha shqipe me Kushtetutë është gjuhë zyrtare ashtu siç është gjuha maqedonase.

“BDI-ja e la gjuhën shqipe jashtë Kushtetutës.Me keqardhje konstatojmë se deklarimet e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu, janë të motivuara politikisht dhe të shkëputura nga realiteti. Fakti është i qartë: edhe pas mbi dy dekadash në pushtet, BDI-ja nuk arriti ta vendosë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Kushtetutë. Statusi i saj vazhdon të mbetet i reduktuar në formulimin e papranueshëm “gjuha që e flasin të paktën 20% e popullsisë”, një kompromis i dëmshëm që ne e kundërshtojmë dhe po punojmë ta ndryshojmë,” tha Sejdiu përmes një teksti në Facebook, transmeton Zhurnal.mk.

Reagimi i Sejdiut vie pas deklaratës së Kadriut bërë në intervistën për gazetën Koha.mk ku ai thotë se me kushtetutë gjuha shqipe është gjuhë zyrtare.

“Gjuha shqipe me Kushtetutë është gjuhë zyrtare,” pat deklaruar anëtari i gjykatës Kushtetuese Osman Kadriu.

Ai më tutje akuzoi pushtetin se po e konteston gjuhën shqipe.

“Gjuhën shqipe e garanton Kushtetuta, e konteston pushteti,” shtoi Kadriu. Por Sejdiu, nuk pajtohet as me pjesën e dytë të deklaratës së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

“Po ashtu, janë të pavërteta pretendimet se institucionet aktuale qeveritare e kontestojnë gjuhën shqipe,” tha Blerim Sejdiu.

“Përkundrazi, ne po korrigjojmë padrejtësitë e trashëguara dhe po e avancojmë përdorimin e saj në çdo nivel, me masa konkrete që tashmë janë në zbatim. Është e papranueshme që një anëtar i Gjykatës Kushtetuese të shndërrohet në zëdhënës të agjendave partiake. Nga një profesor universitar pritet integritet, saktësi dhe përgjegjësi, e jo propagandë politike,“ tha Kryetari i Zhelinës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër