Konferenca Vjetore e Forumit të Boaos për Azinë (BFA) 2026 mbajti të enjten seancën plenare në Boao, në provincën Hainan të Kinës Jugore.
BFA, e themeluar në vitin 2001, është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare dhe jofitimprurëse e përkushtuar ndaj promovimit të integrimit ekonomik rajonal dhe përafrimit të vendeve aziatike me objektivat e tyre të zhvillimit.
Konferenca e këtij viti, që zhvillohet nga 24 deri më 27 mars, ka temën “Formësimi i një të ardhmeje të përbashkët: Dinamikë e re, mundësi të reja, bashkëpunim i ri”. Rreth 2 000 përfaqësues nga më shumë se 60 vende e rajone marrin pjesë në forumin e sivjetshëm.
Zhao Leji, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore në fjalën e tij vuri në dukje se ky vit shënon 25-vjetorin e themelimit të këtij forumi, Zhao tha se ai është kthyer në një platformë prestigjioze për promovimin e shkëmbimeve, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët midis vendeve aziatike dhe mbarë botës.
Zhao theksoi që bota sot përballet me pasiguri të ndjeshme dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve të mbështetin multilateralizmin e vërtetë dhe të forcojnë bashkëpunimin si rajonal, ashtu edhe atë global. Sipas tij, vetëm nëpërmjet solidaritetit njerëzimi mund t’i përballojë në mënyrë efektive rreziqet e sfidat globale dhe të ketë një të ardhme më të mirë.
Sipas tij, Kina po përgatitet për Takimin e 33-të të Liderëve Ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) në Shenzhen në nëntor të këtij viti dhe është e gatshme ta shfrytëzojë këtë mundësi si vend organizator për të punuar me të gjitha palët për të krijuar një bashkësi të Azi-Paqësorit dhe për t’i dhënë gjallëri më të madhe e shtysë më të fuqishme zhvillimit rajonal.
