Iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri, përfundon me sukses operacioni i Papa Leone XIV

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Romë, 13 tetor Zhurnal.mk – Ndërhyrja kirurgjikale në mushkëri, së cilës iu nënshtrua Papa Leone XIV në spitalin Gemelli të Romës, ka përfunduar me sukses, brenda afateve dhe sipas mënyrës së parashikuar. Pas operacionit, Ati i Shenjtë është kthyer në dhomën e tij të spitalit, njoftoi Salla e Shtypit e Vatikanit.

Papa, emri i të cilit është Robert Francis Prevost, iu nënshtrua ndërhyrjes për heqjen e një nyjëze në mushkëri. Operacioni u krye nga ekipi i kirurgjisë, i drejtuar nga profesori Stefano Margaritora.

Mediat italiane shkruajnë se, Atij i Shenjtë u largua nga Vatikani rreth orës 13:00 të së martës, më 13 tetor, përmes Portës së Perugino-s, duke përshëndetur personat e pranishëm.

Me të mbërritur në spitalin Gemelli, Papa zbriti nga automjeti dhe hyri përmes hyrjes kryesore të kompleksit spitalor, ku u përshëndet nga shumë njerëz që e prisnin në sheshin përpara ndërtesës. Ai u shfaq i qetë, i buzëqeshur dhe i prekur nga përzemërsia e njerëzve.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shprehu shpresën se problemi shëndetësor i Papës do të zgjidhet sa më shpejt.

“E takova Papën mbrëmjen e djeshme dhe biseduam me shumë qetësi. Ai është një shembull i madh edhe në këtë drejtim”, deklaroi Parolin për gazetarët, në margjinat e një aktiviteti në Universitetin Papnor Gregorian.

Kardinali theksoi se të gjithë ishin prekur nga qetësia me të cilën Papa kishte njoftuar për praninë e nodulit në mushkëri.

“Jemi në fillim të kësaj vështirësie dhe shpresojmë që problemi të zgjidhet sa më shpejt. Jemi optimistë dhe e shoqërojmë me lutjet tona”, shtoi ai.

Masa të posaçme sigurie në spital

Sipas gazetës italiane “Il Messaggero”, për shtrimin e Papës në spital është përgatitur një plan i posaçëm sigurie. Masat përfshijnë kontrollin e hyrjeve dhe daljeve, si dhe përdorimin e kodeve alfanumerike ose pseudonimeve në regjistrimin e analizave, me qëllim mbrojtjen e privatësisë së Papës.

Sipas të njëjtit burim, Leone XIV nuk po qëndron në apartamentin e rezervuar për Papët, pasi ai është në proces rikonstruksioni, por në një hapësirë tjetër në katin e dhjetë të spitalit.

Kjo zonë është izoluar nga pjesët e tjera të kompleksit spitalor dhe hyrja lejohet vetëm me autorizimin e Prefekturës së Shtëpisë Papnore.

Vatikani bëri të ditur se do të japë informacione të tjera për gjendjen e Papës në vijim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër