Spahiu vizitë në komunitetin arbëresh në Itali: Tradita dhe gjuha shqipe vazhdojnë të përcillen ndër breza

Nga D. V.
242 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 7 prill Zhurnal.mk –  Zëvendëskryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu, zhvilloi vizitë zyrtare në Itali, ku ndaloi në Horën e Arbëreshëvet, ndër qendrat më të rëndësishme të komunitetit arbëresh dhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare.

Gjatë kësaj vizite, Spahiu zhvilloi një takim me kryetarin e bashkisë, Rosario Petta, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit institucional dhe ruajtjen e mëtejshme të lidhjeve kulturore e historike mes Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh në Itali.

Në vijim të qëndrimit të saj, zëvendëskryetarja mori pjesë në ceremonitë e festës së Pashkës, ku komuniteti arbëresh, së bashku me bashkatdhetarë nga vende të ndryshme, kremtoi këtë ditë të shenjtë në përputhje me traditat e trashëguara ndër breza. Ceremonitë u karakterizuan nga përdorimi i gjuhës shqipe dhe ruajtja e riteve të veçanta fetare, si shprehje e identitetit të fortë kulturor.

Në fjalën e saj, Spahiu vlerësoi rolin e komunitetit arbëresh në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shqiptare, duke theksuar se ai përbën një pasuri të çmuar kulturore, ku tradita, besimi dhe gjuha shqipe vazhdojnë të jetojnë dhe të përcillen ndër breza.

Vizita në Hora e Arbëreshëvet dhe pjesëmarrja në festimet e Pashkës u vlerësuan si një moment i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve shpirtërore dhe kulturore, si dhe për thellimin e bashkëpunimit me komunitetin arbëresh, në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër