Starmer dhe Trump diskutojnë planin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Nga D. V.
325 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Londër, 10 prill Zhurnal.mk – Kryeministri britanik, Keir Starmer ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump mbi nevojën për një “plan praktik” për rifillimin e lëvizjes së anijeve në Ngushticën e Hormuzit, pas armëpushimit në Lindjen e Mesme.

Aktualisht, Starmer ndodhet në një vizitë zyrtare në vendet e Gjirit, ku po zhvillon takime me aleatët – për të diskutuar mënyrat për të mbështetur ndërprerjen e luftimeve dhe për të siguruar rihapjen e përhershme të kësaj rruge kyçe detare.

Ai pritet të kthehet sot në Britaninë e Madhe, pasi ka vizituar Katarin, Bahreinin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas një zëdhënësi të “Downing Street”, të dy liderët ranë dakord se, pas armëpushimit dhe marrëveshjes për hapjen e ngushticës, tani duhet kaluar në fazën e gjetjes së një zgjidhjeje konkrete për rikthimin e trafikut detar, sa më shpejt.

Starmer theksoi se anijet duhet të kenë “kalim pa tarifa” në Ngushticën e Hormuzit, mes raportimeve se Irani mund të kërkojë pagesa për tranzitin.

Ai sqaroi se për Britaninë e Madhe, një ngushticë “e hapur” do të thotë lundrim i sigurt dhe pa pengesa për të gjitha anijet.

Edhe ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper kërkoi lëvizje pa tarifa, duke paralajmëruar se rrugët tregtare nga vendet e Gjirit janë “mbajtur peng” nga Irani, duke rrezikuar ekonominë globale.

Nga ana e tij, Trump reagoi në platformën “Truth Social” duke paralajmëruar se nëse Irani vendoste tarifa për anijet cisternë që kalojnë në Hormuz, kjo duhej të ndalej menjëherë.

Një armëpushim dyjavor u arrit më herët këtë javë, ku rihapja e ngushticës ishte një kusht kyç.

Megjithatë, marrëveshja u vu në rrezik pas bombardimeve izraelite në Bejrut, që nxitën Iranin të mbyllte sërish rrugën detare për shkak të mosmarrëveshjeve mbi përfshirjen e Libanit në armëpushim.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ka autorizuar bisedime direkte me Libanin për çarmatimin e grupit “Hezbollah” dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Starmer i cilësoi sulmet izraelite ndaj Libanit si “të gabuara” dhe kërkoi përfshirjen e tij në armëpushim.

Ai gjithashtu kritikoi “gjuhën” e përdorur nga Trump ndaj Iranit, duke theksuar se nuk përputhej me vlerat britanike.

Ndërkohë, marrëdhëniet mes dy liderëve janë tensionuar javët e fundit, pasi Trump ka kritikuar Starmer për moslejimin fillestar të përdorimit të bazave ushtarake britanike nga SHBA.

Starmer ritheksoi se këto baza mund të përdoreshin vetëm për “vetëmbrojtje kolektive”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër