​Inflacioni arrin në 6.7 për qind, këto janë produktet më të shtrenjta

Nga Xh M
266 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 10 prill Zhurnal.mk – Çmimet e konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë muajit mars, duke reflektuar një inflacion vjetor prej 6,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në baza mujore rritja ka arritur në 1,5%, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas raportit për muajin mars, të dhënat tregojnë se niveli i përgjithshëm i çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i disa kategorive kryesore të konsumit. Rritjet më të theksuara janë regjistruar te shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit (+42,5%), biletat e fluturimeve (+38,4%), si dhe furnizimi me ujë dhe shërbimet që lidhen me banimin (+31,9%).

Po ashtu, rritje e konsiderueshme është vërejtur te energjia elektrike (+17,4%), karburantet dhe lubrifikantët (+17,4%), si dhe lëndët djegëse si dru zjarri dhe pelet (+15,6%). Ndikim në rritjen e inflacionit kanë pasur edhe pushimet e organizuara (+13,2%), pemët (+13,1%) dhe mishi (+12,4%).

Rritje çmimesh janë evidentuar edhe në një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh të tjera, përfshirë kafen, çajin dhe kakaon (+7,8%), shërbimet hoteliere (+6,9%), produktet ushqimore (+6,8%), si dhe ëmbëlsirat dhe produktet e sheqerit (+5,7%). Po ashtu, janë shtrenjtuar edhe shërbimet ambulantore, kujdesi personal dhe mallrat për mirëmbajtjen e ekonomisë shtëpiake.

Në baza mujore, krahasuar me shkurtin 2026, rritja prej 1,5% është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve për transport (+25,8%), si dhe nga rritja e çmimeve të perimeve (+3,7%), pemëve (+1,5%) dhe mishit (+0,3%).

Ndërkohë, disa kategori kanë shënuar ulje të çmimeve gjatë kësaj periudhe, përfshirë energjinë elektrike (-3,7%) dhe lëndët djegëse të ngurta (-2,2%), të cilat kanë zbutur pjesërisht rritjen e përgjithshme të çmimeve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër