Shqipëria dhe Greqia ende pa marrëveshje se në cilën gjykatë do të trajtojnë përplasjet për kufirin detar

Nga B.M
495 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 Prill 2026, Zhurnal.mk – Qeveritë e Shqipërisë dhe Greqisë ende nuk janë pajtuar mes tyre se në cilën gjykatë ndërkombëtare do të trajtojnë mosmarrëveshjen mbi kufirin detar, thotë ministri i ri i punëve të jashtme të Shqipërisë.

Ish-diplomati me karrierë të gjatë, e i cili u bë ministër muajin e kaluar, Ferit Hoxha, u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp të premten se të dyja palët duhet që të pajtohen së pari se ku ta trajtojnë mosmarrëveshjen, pasi që deri më tash dështuan ta zgjidhnin atë në mënyrë dypalëshe pas vitesh negociatash lidhur me, siç e quajti ai, “çështjen komplekse”.

“Ne do të shkojmë në atë që quhet ‘palë e tretë e pa-anshme’, gjykata ndërkombëtare,” tha Hoxha.

“Janë dy gjykata ndërkombëtare që mund ta marrin përsipër. Duhet të biem dakord se në cilën gjykatë, në cilën kohë….” shtoi ai.

Greqia synon që të zgjerojë kufirin e saj detar edhe për 12 milje (20 km) pranë kufirit të Shqipërisë. 

Opozita shqiptare thotë se një zgjerim i këtillë do të kishte ndikim në territorin detar të Shqipërisë.

Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi një marrëveshje të vitit 2009 midis qeverive të Shqipërisë dhe Greqisë mbi 225 kilometra katrorë, saktësisht përpara rajonit të Himarës dhe pranë Karaburunit në jug të vendit.

Marrëveshja do t’i kishte dhënë Greqisë më shumë përparësi për kërkime pikërisht në zonën për të cilën ekspertët thonë se përmbanë sasi të mëdha nafte dhe gazi.

Por Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e anuloi marrëveshjen e kufirit detar për shkak të “shkeljeve procedurale dhe substanciale” të kushtetutës dhe Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit (UNCLOS) pas protestave të forta të Partisë Socialiste (PS), atëherë në opozitë dhe aktualisht në pushtet në Shqipëri. Në atë kohë, ishte Partia Socialiste (PS) e Ramës ajo që paditi Partinë Demokratike (PD), e cila tani është në opozitë, për arritjen e marrëveshjes.

Athina që atëherë refuzon që të njohë vendimin e gjykatës së Shqipërisë. 

Por tani kryeministri Edi Rama thotë se zgjatja e kufirit grek për 12 milje nuk ka të bëjë fare me territorin detar të Shqipërisë; gjë që kontestohet nga PD-ja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër