Tiranë, 15 prill Zhurnal.mk – Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua SOT mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin me rend dite shqyrtimin e projektvendimit “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Në nisje të mbledhjes, Peleshi sqaroi se për shkak të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese lidhur me shfuqizimin e vendimit nr.57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit, objekt i diskutimit të mbledhjes do të ishin vetëm disa propozime të paraqitura për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, nga 3 deputetë të grupit parlamentar të PS-së.
Kryetari Peleshi informoi se kishte përgatitur disa amendamente në lidhje me ndryshimet e Rregullores, të cilat do të bëhen pjesë e diskutimeve të Këshillit.
Më pas Taulant Balla, në cilësinë e bashkënismëtarit prezantoi disa prej ndryshimeve të propozuara, që lidhen me shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjeve që lidhen me procesin e integrimit në BE, përmirësimin e efikasitetit të debatit parlamentar, kohëzgjatjen e diskutimeve parlamentare, forcimi i kontrollit post-legjislativ dhe roli mbikëqyrësi komisioneve, afatet e shqyrtimit të nismave qytetare dhe peticioneve, etj.
Gjatë diskutimeve, deputetët e grupit parlamentar të PD-së kërkuan që diskutimet për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit te zhvillohen pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi në projektvendimin e hedhur për shqyrtim mund të ketë dispozita që janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në përfundim të diskutimeve Kryetari Peleshi inkurajoi grupet parlamentare apo çdo deputet për të paraqitur propozime konkrete për t’i bërë pjesë të diskutimeve për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit.
