Tiranë, 15 prill Zhurnal.mk – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të spikatur të diasporës shqiptare në rajonin Emilia Romagna në Itali, Astrit Poti, Eva Baçi dhe Dorina Merdini.
Sipas njoftimit për mediet, gjatë takimit Balla shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të komunitetit shqiptar në këtë rajon të Italisë, duke vlerësuar rolin e diasporës në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e lidhjeve me atdheun.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua nismave në fushën e arsimit, me fokus ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj. Në këtë kuadër, u bë e ditur se në fillim të muajit qershor pritet të zhvillohet një vizitë në Emilia Romagna ku do të promovohet një tjetër shkollë shqipe në qytetin e Bolonjës.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të identitetit kulturor dhe gjuhësor të diasporës shqiptare, si dhe një dëshmi e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare dhe komuniteteve jashtë vendit.
