Abdixhiku: Sali Çekaj ra për të mos vdekur kurrë

Nga Xh M
116 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 19 prill Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar heroin Sali Çekaj në 27-vjetorin e rënies së tij në Betejën e Kosharës.

Ai e ka cilësuar Çekajn si figurë të shquar të luftës dhe rezistencës së armatosur, duke përmendur rolin e tij si intelektual, politikan dhe ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në prillin që nuk njihte pranverë më të vështirë; në vend se t’i gëzohej triumfit të lirisë; atje lart në majet e ashpra të Koshares ra për të mos vdekur kurrë, Komandant Sali Çekaj – VETERANI. Në këtë 27 vjetor, ne nderojmë figurën e madhe të historisë së Kosovës, figurën e luftës dhe rezistencës së armatosur, intelektualin, politikanin dhe ushtarakun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Heroin Sali Çekaj. Ndonëse rreziqet e jetës e kishin shtyrë të ikte në mërgim, shtypjet që po i bëheshin popullit të tij e detyruan të kthehej në vendlindje veprimtarin e madh, Sali Çekaj për të iu bashkuar shokëve, burrave e grave në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atje në Alpet Shqiptare, në Koshare”, ka thënë ai.

“Sali Çekaj, veprimtar i zellshëm politik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jurist e ushtarak vizionar, u detyrua të largohej nga vendi, për shkak të presionit e të përndjekjes sistematike që i bënte regjimi okupues. Rezistencën e tij politike e nisi përmes aktivitetit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, krah Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova, ku bashkë me shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, u bë dhe organizator i jashtëzakonshëm i shqiptarëve për t’i ndihmuar ata materialisht e politikisht, për çlirimin e vendit. Megjithëse fillet e angazhimit të Sali Çekajt për çështje kombëtare janë të hershme, ai qysh në fillim të viteve të 90-ta ia kishte vënë vetes objektiv çlirimin e Kosovës. Në vitin 1991 Sali Çekaj ishte përgjegjës për përgatitjen ushtarake të dy grupeve të para guerile në Shqipëri në mesin e të cilëve ishin Komandanti Legjendar, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ilaz Kodra e shumë bashkëluftëtarë të tjerë, ka thënë tutje Abdixhiku.

Po ashtu ai tha se figura dhe vepra e Sali Çekajt mbetet në piedestalin e historisë së Kosovës, ndërsa kujtoi se ai është nderuar me titullin “Hero i Kosovës” nga presidenti Rugova.

“Ai bashkë me Agim Ramadanin ishin po ashtu edhe ideatorët e fitores së madhe të UÇK-së, në shpartallimin e forcave serbe dhe thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar që kishte mbajtur padrejtësisht të ndarë një komb për vite të tëra. Sali Çekaj me punën dhe përkushtimin e tij, prej politikani e ushtaraku vizionar, do të mbetet përherë në piedestalin e historisë tonë, prandaj dhe Presidenti Historik Rugova e nderoi me urdhërin Hero i Kosovës. Sot, kujtojmë dhe nderojmë rolin, kontributin e sakrificën e tij sublime për liri e pavarësi. Lavdi jetës dhe veprës së Komandantit, Sali Çekaj!”, ka përdunduar ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër