Tahiri i kundërpërgjigjet Kurtit: Proceset serioze nuk kryhen me WhatsApp, refuzoi të dërgoi edhe letër zyrtare

Nga D. V.
237 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 22 prill, Zhurnal.mk – Kryeministri Albin Kurti, i cili më herët kërkonte emra nga opozita për president, tash është reduktuar vetëm në emrin e kandidatit të tij, Glauk Konjufcës.

Ai edhe sot i akuzoi partitë opozitare se nuk po kanë interes për marrëveshje, deri sa insistoi se posti i Presidentit duhet të jetë i Vetëvendosjes.

“Pas aktgjykimit u takova me LDK’në, PDK’ja refuzoi. LDK’së ia kam bërë dy oferta, njërën për bashkëqeverisje, tjetrën për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit. Pastaj, PDK’së për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit, po thjesht nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës”.

Kësaj deklarate të tij i është përgjigjur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.

Tahiri në një prononcim për Gazetën Express, ka thënë se PDK-ja nuk ka refuzuar asnjë takim, por Kurti ka refuzuar ta konkretizojë iniciativën e re të tij përmes një letre zyrtare dhe për shkak të refuzimit të tij, nuk janë zhvilluar më takime.

Ai ka thënë se tashmë kjo çështje është e përfunduar, pasi që Këshilli Drejtues ka vendosur ta konsiderojë të përmbyllur kontributin e PDK-së në këtë proces.

“PDK-ja s’ka refuzuar asnjë takim. PDK-së nuk i ka ardhur asnjë ftesë formale në adresë të saj. Kemi shkuar në të gjitha takimet ku jemi ftuar në raundin e parë, në secilën ditë dhe në secilin vend. Kemi pritur katër javë të plota në raundin e dytë, pas afatit 34 ditor të Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë ftesë zyrtare në adresë të PDK-së nuk ka ardhur. Mos të flasim pastaj për mesazhet e Whatsapp-it, me kërkesa për pazare, të cilët, thënë butësisht ishin edhe qesharakë. PDK-ja e trajton me seriozitet shtetin, të cilin ka dhënë kontribut kyç për ta formuar dhe ndërtuar. Zgjedhjet, nëse shkojmë, janë kryekëput pasojë e papërgjegjësisë së tij, mungesës së vullnetit politik dhe dëshirës për kontroll absolut institucional prej tij.

Ndërsa, lidhur me deklaratën e Kurtit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Tahiri tha se është vetë Kurti ai që thoshte “Shko Hashim” dhe si kryeministër nuk e ka marrë mundin as t’i vizitojë në Hagë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër