Prishtinë, 24 prill Zhurnal.mk – Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku thotë se partia ku ajo bën pjesë, është duke bërë çdo përpjekje për të shmangur një skenar të tillë. Ajo theksoi se zgjedhjet nuk janë zgjidhja e problemit në këtë moment. ”Po bëjmë çdo gjë që të evitojmë këto zgjedhje, të cilat i konsiderojmë të panevojshme. Janë bërë të gjitha përpjekjet dhe do të vijojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje”, u shpreh ajo.
Duke komentuar qëndrimin e opozitës, Kollçaku tha se kërkesa për një marrëveshje politike është adresuar tashmë nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa përgjigjja, sipas saj, është bërë publike.
Ajo ngriti pikëpyetje mbi arsyet pse opozita do të preferonte zgjedhje të reja në këtë moment, duke kujtuar se vendi zhvilloi zgjedhje edhe vitin e kaluar, të cilat sipas saj nuk prodhuan rezultate të favorshme për opozitën.
”Ne nuk jemi të interesuar ta çojmë vendin në zgjedhje. Duhet të vazhdojmë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje, sepse nuk është e qartë pse dikush do të parapëlqente zgjedhje të reja në këtë situatë”.
