KFOR mbetet i pandryshuar, nuk parashikohet reduktim i trupave në Kosovë

Nga D. V.
404 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 prill, Zhurnal.mk –Nuk ka ndonjë plan për reduktim të pranisë së trupave të NATO-s në Kosovë, ka deklaruar Kryetari i Komitetit Ushtarak të Aleancës, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, gjatë vizitës së tij në misionin e KFOR-it.

Ai theksoi se NATO kryen rishikime periodike të misioneve të saj, por aktualisht nuk ekziston asnjë vendim apo plan për uljen e trupave në Kosovë.

“NATO-ja bën rishikimin e misioneve çdo vit për të vlerësuar funksionimin e tyre dhe angazhimin e personelit në terren. Kjo është një praktikë e rregullt dhe nuk ka surpriza. Për aq sa di unë deri tani, nuk ka ndonjë plan për reduktim të trupave,” u shpreh Dragone.

Ai kujtoi gjithashtu se pas incidenteve në veri të Kosovës në fund të vitit 2023, NATO vendosi të forcojë praninë e saj me rreth 1000 trupa shtesë, duke treguar fleksibilitet në varësi të situatës së sigurisë.

Sipas tij, misioni i KFOR-it mbetet thelbësor për stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.

“Kam ardhur këtu me gjithë Komitetin Ushtarak, 32 gjeneralë dhe admiralë nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s, për të parë nga afër situatën në terren dhe për të marrë vendime të informuara,” shtoi ai, në një intervistë për Radio-Televizionin e Kosovës (RTK).

Dragone theksoi se prania e NATO-s në Kosovë është një element kyç për garantimin e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër