Pesë shenja që tregojnë se dikush nuk është aq i mençur sa duket

Nga D. V.
272 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Disa sjellje në komunikim mund të zbulojnë se një person po e mbivlerëson inteligjencën e vet, sidomos kur nuk dëgjon, nuk pranon kritika dhe i paraqet mendimet si fakte

Me siguri edhe ju keni takuar ndonjë person që është plotësisht i bindur në inteligjencën e vet. Megjithatë, nëse i kushtoni pak më shumë vëmendje, mund të vëreni disa detaje të vogla, por shumë domethënëse në sjellje, të cilat tregojnë se aftësitë e tij intelektuale ndoshta nuk janë në nivelin që ai përpiqet t’i paraqesë.

Këto shprehi nuk janë gjithmonë të dukshme në shikim të parë, por sapo të mësoni t’i dalloni modelet e sjelljes, ato bëhen gjithnjë e më të qarta.

Në psikologji, ky fenomen njihet si efekti Dunning-Kruger, i cili përshkruan njerëzit që nuk janë në gjendje t’i vlerësojnë realisht kufizimet e tyre.

Mendimin e paraqesin si fakt

Një tregues i qartë se dikush e mbivlerëson inteligjencën e vet është kur vazhdimisht i ngatërron mendimet me faktet. Bindjet dhe supozimet personale i paraqet si të vërteta të pakontestueshme, zakonisht pa asnjë provë që do t’i mbështeste ato.

Qëndrimin e sigurt e përjeton si dëshmi se ka të drejtë dhe nuk ndien nevojë ta kontrollojë saktësinë e pohimeve të veta.

Edhe kur i paraqiten informacione të verifikuara, shpesh reagon me nënvlerësim ose përpiqet ta zhvendosë bisedën në drejtim tjetër. Në botën e tij, më e rëndësishme është “të ketë të drejtë” sesa të japë informacione të sakta.

Ai është i bindur se, nëse beson diçka, ajo patjetër duhet të jetë e vërtetë, dhe rrallë çfarë mund ta bindë për të kundërtën, transmeton Telegrafi.

Mungesa e kureshtjes

Njerëzit vërtet inteligjentë dallohen nga kureshtja dhe dëshira e vazhdueshme për të mësuar. Ata bëjnë pyetje, hulumtojnë ide të panjohura dhe tregojnë interesim për këndvështrime të ndryshme mbi botën.

Në anën tjetër, kur për dikë është e rëndësishme vetëm që të tjerët ta shohin si të mençur, shpesh ndalet së mësuari dhe së zhvilluari vërtet. Mbetet i mbyllur në “flluskën” e vet të informatave dhe supozimeve të njohura, pa ndier nevojën të hulumtojë më thellë ose t’i rishikojë qëndrimet e veta.

Kjo shihet qartë në komunikimin e përditshëm. Bisedat me persona të tillë shpesh sillen në rreth, sepse qëllimi i tyre nuk është të mësojnë diçka, por të vërtetojnë atë që tashmë mendojnë se e dinë.

Për këtë arsye, ata e kanë të vështirë të përfshihen në një dialog të kuptimshëm dhe konstruktiv.

Flasin më shumë sesa dëgjojnë

Kjo shprehi është shumë e dukshme, madje edhe në një kontakt të shkurtër. Personi që e mbivlerëson inteligjencën e vet shpesh përpiqet ta dominojë bisedën, pavarësisht temës.

Ai ndërhyn në fjalë, ua përfundon të tjerëve fjalitë dhe çdo diskutim e kthen nga vetja.

Mendon se, nëse flet më së shumti, do të lërë përshtypjen e autoritetit dhe kontrollit, edhe kur ajo që thotë nuk ka shumë kuptim. Në të njëjtën kohë, është dëgjues i dobët.

Përgjigjet e tij shpesh duken të shkëputura nga tema, ndërsa ndonjëherë reagon edhe ndaj diçkaje që nuk është thënë fare. Nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht për mungesë vëmendjeje, por për faktin se është i përqendruar vetëm te mendimet e veta dhe te ajo që do të thotë më pas.

Tallen me përpjekjet e të tjerëve

Kur njerëzit që e shohin veten si superiorë shohin dikë që provon për herë të parë diçka të re, shpesh reagojnë me tallje ose me siklet. Përpjekjet dhe pasiguria e të tjerëve duket se i irritojnë, prandaj këtë e drejtojnë ndaj atyre që i konsiderojnë “shënjestra të lehta”.

Në vend që ta njohin mundin dhe guximin që kërkon të mësuarit dhe provimi i diçkaje të re, ata instinktivisht e nënvlerësojnë ose e shpërfillin atë si të parëndësishme.

Kjo lidhet edhe me mungesën e tyre të kureshtjes. Eksperimentimin e shohin si diçka qesharake dhe shmangin situatat ku mund të duken të papërvojë ose më pak të informuar, edhe kur kjo është pjesë normale e procesit të të mësuarit.

Mbrohen menjëherë dhe reagojnë emocionalisht

Kjo sjellje më së shpeshti tregon se për dikë është më e rëndësishme ta mbrojë egon dhe reputacionin e vet sesa ta kuptojë bashkëbiseduesin ose ta zgjidhë mospajtimin.

Çdo kritikë e përjeton si sulm personal, ndërsa qëllimi kryesor i bëhet të “fitojë” në debat. Toni i bëhet i ashpër, ngre zërin dhe reagon në mënyrë impulsive, pa menduar shumë për saktësinë e asaj që thotë.

Kur shqetësohet emocionalisht, emocionet marrin kontrollin dhe ai fillon të mendojë në mënyrë joracionale. Për shkak se e përballon me vështirësi presionin, shpesh nuk arrin të përmbahet mjaftueshëm sa t’ia lejojë palës tjetër ta përfundojë mendimin ose ta paraqesë argumentin deri në fund.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër