Për dinjitet e paga më të larta

Nga D. V.
377 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 maj, Zhurnal.mk – Protesta e sotme të punëtorëve në Maqedoninë e Veriut nuk është thjeshtë një shfaqje e pakënaqësisë, por një alarm i fuqishëm për shoqërinë dhe shtetin.
Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, 1 Maji 2026 dinjiteti i punëtorit ende mbetet i nëpërkëmbur.

Pa punëtorë të respektuar nuk ka zhvillim, nuk ka stabilitet ekonomiko-social, dhe kjo rrjedhimisht shakton për pasojë mungesën e perspektives për një të ardhme të mirë, shkruan Zhurnal.mk.
Ligji dhe realiteti

Ligjet e RMV-së garantojnë të drejta të qarta kontrata pune, sigurim shëndetësor, pushime të paguara, e kushte më të mira sigurie. Por realiteti shpesh është krejt ndryshe, pasi shumë punëtorë, sidomos në szektorin e ndërtimtarisë, tekstilit, gastronomisë punojnë pa kontrata formale.

Kjo i lë pa sigurime shëndetësore, pa mbrojtje sociale dhe pa të drejtë për kompensim në rast aksidenti. Inspektorati i Punës raporton çdo vit dhjetëra raste shkeljesh, por sanksionet shpesh mbeten simbolike dhe nuk ndryshojnë gjendjen.

Punëtorët pa sigurime
Një nga plagët më të mëdha është mungesa e sigurimeve shëndetësore. Punëtorët që punojnë “në të zezë” nuk kanë mbrojtje në rast sëmundjeje apo lëndimi. Ata mbeten të varur nga solidariteti i familjes ose nga borxhet. Ky është një realitet i papranueshëm në një shtet që synon integrimin evropian. Dinjiteti i punëtorit nuk mund të matet vetëm me pagën, por me sigurinë që ai ka se nuk do të mbetet i braktisur kur i ndodhë diçka.

Dinjiteti i punëtorit shpesh shkelet jo vetëm ekonomikisht, por edhe moralisht. Punëtorët trajtohen si numra, jo si njerëz. Ata përballen me presion, diskriminim, mungesë respekti. Protestat e tyre shpesh injorohen ose relativizohen. Por dinjiteti nuk është luks, është e drejtë themelore.

Çfarë duhet të bëjë shteti?
Nuk do mend që çdo punëtor duhet të ketë kontratë dhe sigurim. E kjo do të futej në praktikë kur në terren do të ketë kontrolle reale, jo formale, e me sigurim shëndetësor universal.
Shteti duhet që të sigurojë pagë minimale dinjitoze, e jo vetëm për mbijetesë, por për jetë me dinjitet.

Paga minimale në RMV është 26.046 denarë, apo rreth 422 euro, por konsiderohet shumë e ulët për të mbuluar shpenzimet bazë të jetesës.

Ky nivel i ulët i pagës minimale e rritë varfërinë, e nxitë emigrimin e të rinjve dhe e ulë motivimin për punë, duke e vendosur vendin në një pozitë të pafavorshme krahasuar me fqinjët e rajonit.
Sindikatat kërkojnë rritje të menjëhershme në 500 euro për të siguruar dinjitet dhe stabilitet ekonomik.

1 Maji nuk është vetëm festë por është edhe protestë e thirrje. Sot punëtorët protestuan, nesër shteti duhet të veprojë.

Dinjiteti i punëtorit është dinjiteti i shoqërisë. Pa të çdo reformë mbetet fjalë bosh. Prandaj, sot më shumë se kurrë është koha që dinjiteti i punëtorit të vihet në rend të parë. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër