Islamabad, 5 Maj, zhurnal.mk – Pakistani ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje pas rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke dënuar sulmet e Teheranit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe dhe duke kërkuar ruajtjen e një armëpushimi të brishtë.
Kryeministri Shehbaz Sharif deklaroi sot se Pakistani dënon fuqishëm sulmet me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës civile, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shprehu solidaritet të plotë me udhëheqjen dhe popullin e vendit.
“Është absolutisht e domosdoshme që armëpushimi të respektohet dhe të mbahet, për të krijuar hapësirën e nevojshme diplomatike për dialog që çon drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon”, shkroi Sharif në platformën X.
Sipas raportimeve, Irani ka goditur dje objekte nafte në portin emirati të Fujairah.
Deri sot në mëngjes nuk janë raportuar sulme të reja në rajon apo incidente në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, mosmarrëveshjet mbi këtë rrugë të rëndësishme detare po rrezikojnë armëpushimin e ndërmjetësuar nga Pakistani mes SHBA-së dhe Iranit, i cili hyri në fuqi më 8 prill.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar sërish sot se do ta “zhdukë Iranin nga faqja e dheut” nëse sulmon anijet amerikane, pas goditjes iraniane ndaj objekteve të naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe, si kundërpërgjigje ndaj një iniciative ushtarake amerikane për rihapjen e ngushticës.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi paralajmëroi Uashingtonin që të mos vazhdojë me iniciativën e tij për lirimin e anijeve të bllokuara në ngushticë.
