Shkup, 5 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar 5 Majin – Dita e Dëshmorëve të Kombit Shqiptar, duke bërë homazhe në nderim të dëshmorëve.
Përmes një njoftimi në profilin e tij zyrtar, Fejsbuk, Ahmeti bëri të ditur se ka vendosur kurora dhe ka bërë homazhe pranë varreve të Beqir Limani dhe Ruzhdi Veliu, duke nderuar sakrificën e tyre për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
“Me përulësi kujtova veprën dhe sakrificën e tyre të madhe për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Ata mbeten shembull i përjetshëm i guximit dhe përkushtimit ndaj atdheut”, thuhet në mesazhin e Ahmetit.
Ai theksoi se kujtimi i dëshmorëve përbën obligim dhe frymëzim për brezat e sotëm, për të vazhduar rrugën e tyre me dinjitet dhe përgjegjësi.
Në fund të mesazhit të tij, Ahmeti shprehu nderim për të gjithë dëshmorët, duke theksuar: “Lavdi e përjetshme të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!”.
