Pas UEFA-s edhe FIFA i shqipton dënimin Prestiannit për incidentin me Vinicius

Nga D. V.
490 e lexuar
A+ A-
Rivendos

FIFA konfirmoi të mërkurën një pezullim me efekt global për Gianluca Prestiannin, që do ta lërë yllin e Benficës jashtë dy ndeshjeve të Botërorit në Shtetet e Bashkuara, nëse ai përzgjidhet në skuadrën e Argjentinës.

UEFA i kishte vendosur Prestiannit dy javë më parë një dënim prej gjashtë ndeshjesh – me tri ndeshje të pezulluara me kusht, për shkak të fyerjeve verbale ndaj sulmuesit brazilian të Real Madridit, Vinicius Junior, në Ligën e Kampionëve. Gjatë përdorimit të fyerjes, Prestianni kishte mbuluar gojën me fanellë.

Tashmë FIFA, siç pritej, e ka përmbushur kërkesën e UEFA-s që ndalesa të shtrihet edhe përtej garave europiane, duke u aplikuar edhe në Kupën e Botës që nis muajin e ardhshëm.

“Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka vendosur ta zgjerojë pezullimin prej gjashtë ndeshjesh, të vendosur nga UEFA ndaj lojtarit të Benficës, Gianluca Prestianni, që të ketë efekt në mbarë botën”, thuhet në një deklaratë të organit drejtues të futbollit.

Mbetet e paqartë nëse Prestianni është ende pjesë e planeve të përzgjedhësit të Argjentinës, Lionel Scaloni, për ta mbrojtur titullin e Botërorit.

Argjentina e nis turneun më 17 qershor ndaj Algjerisë në Kansas City dhe pesë ditë më vonë luan kundër Austrisë në Arlington, Teksas. Në grup ndodhet edhe debutuesja e Botërorit, Jordania.

20-vjeçari ka bërë deri tani paraqitjen e tij të parë dhe të vetme me Argjentinën në një miqësore në nëntor.

Ai ishte rezervë e papërdorur në ndeshjen e fundit të Argjentinës, një test për Botërorin ndaj Zambias më 31 mars.

Kur Scaloni e thirri Prestiannin në mars për ndeshjet përgatitore, ai nuk e komentoi hetimin e vazhdueshëm të UEFA-s.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër