Shkup, 06 Maj, Zhurnal.mk – Shefi i zyres së Bashkimit Evropian në Shkup, Michalis Rokas, u ka bërë thirrje partive politike të Maqedonisë së Veriut, që t’iu japin fund mosmarrëveshjeve midis tyre lidhur me ngërçin e krijuar tashmë e katër vite lidhur me bisedimet për anëtarësim në bllokun evropian, shkruan Zhurnal.mk
Rokas në një fjalim në konferencën që shënoi 30 vjet të rrugës evropiane të Maqedonisë, ka ftuar partitë politike të vendit për “pragmatizëm” dhe “unitet” për hapat e kërkuar, raporton TV24.mk.
“Maqedonia i përket familjes evropiane, në fakt jemi shumë më afër sesa mendojmë. Unë besoj se ajo që mungon në këtë moment është pak pragmatizëm dhe një dëshirë për unitet në të gjithë spektrin politik për të bërë hapat e fundit përpara drejt BE-së,” citohet të ketë thënë ai përmes një përkthimi në gjuhën maqedonase nga ky medium.
“Bashkimi Evropian ka treguar gjatë gjithë historisë se është një partner i besueshëm kur ka pasur momente krize, kur gjatë Marrëveshjes Kornizë të Ohrit punuam së bashku me SHBA-në për t’i dhënë fund konfliktit, por edhe me Marrëveshjen e Përzhinos,” citohet Rokas.
Ai ndërkohë përkujtoi edhe anketat me qytetarët, ku shumica e tyre janë në favor të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
“Ne duhet t’u përgjigjemi aspiratave të qytetarëve, sepse…Pavarësisht zhgënjimeve, më shumë se 70% e qytetarëve, sipas sondazheve të fundit, tregojnë se qytetarët mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian si e vetmja rrugë për vendin dhe kjo na jep një ndjenjë përgjegjësie,” citohet me tutje të ketë thënë diplomatik grek i BE-së.
Thirrjet e tij bëhen meqë VMRO-DPMNE e kryeministrit Hristijan Mickoski refuson që të japin votat në kuvend për të plotësuar kushtin e korrikut të vitit 2022 për të ndryshuar kushtetutën e vendit e futur bashkësinë bullgare në të.
Mickoski refuzon që të bëjë ndryshime kushtetuse përderisa Bullgaria dhe BE nuk plotësojnë dy kundër-kushtet e tij.
Ai kërkon që Bullgaria të plotësojë kërkesat e tij për të drejtat e bashkësisë maqedonase në Bullgari, dhe së dyti që Bullgaria dhe vet BE të japin garancione zyrtare se Sofia nuk do të ketë kërkesa e kushtëzime shtesë për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën maqedonase, të cilën Bullgaria refuzon që ta njohë si të tillë por e trajton si derivat të gjuhës bullgare. / Zhurnal.mk
