30 vite marrëdhënie me BE, Bekim Sali: Tani është koha për rezultate konkrete

Nga D. V.
855 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 06 maj, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, theksoi se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik i vendit, gjatë një aktiviteti të organizuar me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve mes Maqedonia e Veriut dhe Bashkimi Evropian.

Në këtë ngjarje, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në vend, Michalis Rokas, Sali nënvizoi se pas përfundimit të procesit të screening-ut, institucionet janë të përqendruara në përshpejtimin e reformave dhe në arritjen e rezultateve konkrete.

“Tridhjetë vite partneritet dhe 25 vite nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dëshmojnë se rruga jonë evropiane është e qartë dhe e pakthyeshme. Sot, integrimi nuk është vetëm një qëllim – është proces i dorëzimit të rezultateve konkrete,” deklaroi Sali.

Ai theksoi se përmes Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, vendi tashmë po shënon përparim të matshëm në fusha kyçe si sundimi i ligjit, reforma në administratën publike dhe qeverisja ekonomike.

Sali shtoi se një proces i besueshëm i zgjerimit kërkon angazhim të ndërsjellë, si nga vendet kandidate, ashtu edhe nga vetë Bashkimi Evropian.

“Një proces i qëndrueshëm zgjerimi kërkon përkushtim të dyanshëm – reforma reale nga vendet kandidate dhe parashikueshmëri nga Bashkimi Evropian,” theksoi ai.

Në përmbyllje, ai ritheksoi objektivin strategjik të vendit për anëtarësim të plotë në BE.

“Ambicia jonë është e qartë – anëtarësim i plotë në Bashkimin Evropian,” u shpreh Bekim Sali.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër