Rama: Ne kemi një specie që lutet në Evropë që Shqipëria të mos anëtarësohet në BE

Nga D. V.
522 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria nuk ka bërë ndryshime ligjore për portet turistike në tërësi, por vetëm një ndryshim specifik për të shmangur, sipas tij, një pasojë absurde ligjore.

Në një konferencë për medie, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me ligjin për portet turistike, Rama u shpreh se ndryshimi nuk lidhet me garat apo koncesionet për ndërtimin e porteve turistike.

“Ne nuk kemi bërë ndryshime ligjore për portet turistike. Kemi bërë vetëm një ndryshim për të hequr mundësinë e një pasoje absurde. Ndryshimi nuk lidhet fare me garat, zero. Nëse shteti shqiptar do të japë një koncesion apo partneritet për ndërtimin e një porti turistik, është absolutisht 100% e sigurt që kjo bëhet vetëm me garë”, tha Rama.

Sipas tij, ndryshimi lidhet vetëm me rastet kur një investitor ndërton një resort turistik dhe kërkon të ndërtojë edhe një marinë pranë tij.

“Me ligjin e pandryshuar, për marinën që dikush do të ndërtojë pranë resortit të tij duhej garë, që të vinte një tjetër dhe të fillonte një konflikt që të mos mbaronte kurrë. Një gjë që nuk e ka asnjë vend i Evropës”, deklaroi Kryeministri.

Ai shtoi se ndryshimi synon të bëjë dallimin mes rasteve kur ndërtohet një port i ri turistik me koncesion apo partneritet dhe rasteve kur vetë investitorët që kanë pronësinë mbi territorin kërkojnë të ndërtojnë marina private.

Rama kritikoi gjithashtu qëndrimet e opozitës lidhur me procesin e integrimit europian, duke thënë se në asnjë vend tjetër të rajonit opozita nuk ka kërkuar bllokimin e vendit të saj në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Shikoni këtu ndonjë çudi të madhe? Nuk ka asnjë çudi, përveç çudisë së harbimit të atyre që e duan me çdo kusht Shqipërinë të bllokuar. Të atyre që, si në asnjë vend tjetër dhe këtë ma thonë miqtë e huaj, nuk kemi parë të vijë ndonjë forcë e brendshme nga një vend tjetër që ka negociuar me BE-në apo që është në proces për të hapur negociatat, dhe të kërkojë me gjithfarëlloj argumentesh dhe me gjithfarëlloj të zezash që të bllokohet vendi nga vjen. Dhe ne nuk jemi një vend që vijmë nga ndonjë konflikt etnik, as nga ndonjë konflikt fetar, as nga ndonjë konflikt ideologjik, as nga ndonjë luftë civile, shyqyr Zotit, siç janë vende të tjera që kemi në rajon. Por nuk i ka parë kush, as serbët e Malit të Zi apo malazezët në opozitë me qeverinë e tyre, që të kuturisen nëpër kryeqytetet e Evropës dhe të kërkojnë që vendi i tyre të vihet në listën e zezë dhe të mos mbështetet për t’u bërë anëtar i BE-së”, tha Rama.

“Nuk i kam parë kurrë as maqedonasit e Maqedonisë së Veriut, deri dje Maqedonia pa Veri, as shqiptarët në opozitë, që të kuturisen nëpër Evropë dhe të kërkojnë që vendi i tyre të futet në listën e zezë dhe të mos mbështetet për të ecur përpara. Nuk i kam parë. Nuk kam parë askënd”, u shpreh Rama.

“Këto vende kanë pasur probleme të ngjashme me tonat, patjetër që kanë pasur. Kanë pasur situata të vështira, siç kemi pasur edhe ne, madje edhe më të këqija. Por pse nuk e kanë bërë këtë gjë? Sepse ne kemi një lloj specieje këtu, që është një specie unike, që nuk e ka pasur asnjë vend i kontinentit në këtë proces”, tha Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër