Konjufca pritet në Bratisllavë nga homologu sllovak Blanar

Nga Xh M
320 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bratisllavë, 12 maj Zhurnal.mk – Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe gatishmërinë për të kaluar në fazën tjetër të këtij procesi, gjatë një takimi të nivelit të lartë në Kalanë e Bratisllavës.

Konjufca, i cili u prit nga ministri sllovak i Punëve të Jashtme, Juraj Blanar, në kuadër të takimit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të organizuar nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë, diskutoi bashkë me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE) mbi rrugën drejt anëtarësimit dhe sfidat aktuale në rajon.

Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos.

“Integrimi gradual duhet të na afrojë me anëtarësimin, hap pas hapi. Siguria po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e këtij rrugëtimi, një fushë ku vendet e ardhshme anëtare mund të kontribuojnë që tani”, tha Konjufca.

Në këtë kontekst, u vlerësua se Kosova ka arritur përparim konkret në 35 fusha kyç, ka harmonizuar plotësisht politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së dhe shënon nivelin më të lartë të mbështetjes publike për anëtarësim në rajon.

Konjufca theksoi se Kosova është e gatshme për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Sllovakia është një nga pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa mosnjohja e pavarësisë nga këto pesë vende është konsideruar shpeshherë si pengesa kryesore e integrimit evropian të Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër