Sistemi ”Golden Dome” mund të kushtojë 1,2 trilionë dollarë

Nga D. V.
272 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 13 maj Zhurnal.mk – Sistemi i mbrojtjes raketore ”Golden Dome” (”Kupola e Artë”), i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump mund të kushtojë më shumë se një trilion dollarë gjatë dy dekadave të ardhshme, sipas një raporti të publikuar dje nga Zyra e Buxhetit e Kongresit amerikan (CBO).

Institucioni i pavarur vlerësoi se kostoja totale e projektit të quajtur “Golden Dome” mund të arrijë në rreth 1,2 trilionë dollarë në 20 vjet, përfshirë afërsisht një trilion dollarë vetëm për prokurime dhe pajisje.

Sipas raportit, më shumë se dy të tretat e kostove të prokurimit do të lidhen me komponentin hapësinor të sistemit.

Projekti parashikon përdorimin e satelitëve dhe teknologjive të avancuara për kapjen e raketave në ajër dhe në hapësirë.

Trump e nisi projektin në fillim të mandatit të tij të dytë, duke e modeluar pjesërisht sipas sistemit izraelit “Iron Dome”, por me një shtrirje shumë më të gjerë. Sistemi synon të neutralizojë jo vetëm raketa me rreze të shkurtër, por edhe raketa moderne hipersonike dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.

Sistemi i propozuar do të zgjeronte ndjeshëm kapacitetet ekzistuese të mbrojtjes raketore të SHBA-së.

Presidenti Trump kishte deklaruar vitin e kaluar se fillimisht ishin parashikuar 25 miliardë dollarë për nisjen e projektit, ndërsa kishte vlerësuar koston totale në rreth 175 miliardë dollarë.

Megjithatë, Zyra e Buxhetit e Kongresit bazoi përllogaritjet e saj në një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Trump menjëherë pas marrjes së detyrës.

Sipas këtij kuadri, “Golden Dome” do të përfshinte sisteme mbrojtjeje tokësore rajonale dhe kombëtare, si dhe aftësi interceptimi të bazuara në satelitë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër