Metani pret Shoqatën e Prokurorëve: Pavarësia dhe llogaridhënia, kyçe për drejtësinë

Nga D. V.
151 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 maj Zhurnal.mk – Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, i shoqëruar nga zëvendësinspektorja e Lartë e Drejtësisë, Elena Pelushi, priti në takim një përfaqësi të Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, të kryesuar nga prokurori Gëzim Spahiu.

Spahiu e njohu Inspektorin e Lartë të Drejtësisë me objektivat e shoqatës së krijuar në dhjetor 2025, me synimin për të ofruar një strukturë të qëndrueshme dhe të organizuar, e cila do të shërbejë si një pikë referimi për zhvillimet e rëndësishme, problematikat dhe çështjet që lidhen me statusin dhe funksionin e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Në takim u nënvizua rëndësia e pavarësisë së prokurorëve si shtyllë themelore e sundimit të ligjit dhe qeverisjes demokratike.

Gjithashtu u nënvizua se prokurorët duhet të ushtrojnë detyrat e tyre të lirë nga ndikimet e paligjshme, duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, pasi një prokuror i pavarur forcon besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe tek barazia para ligjit.

Njëkohësisht, diskutimi vuri në pah se pavarësia duhet të shkojë paralelisht me përgjegjësinë, profesionalizmin, integritetin dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve dhe institucioneve.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani vuri në dukje se balanca ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies është thelbësore.

“Prokurorët duhet të jenë të mbrojtur nga ndërhyrjet e padrejta, por njëkohësisht të mbajnë përgjegjësi për shkeljet profesionale ose etike. Vetëm përmes këtij ekuilibri mund të ndërtohet një sistem drejtësie i besueshëm, transparent dhe në shërbim të interesit publik”, tha Metani.

Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu rëndësisë së ruajtjes dhe rritjes së besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Të dyja palët ranë dakord se besimi i publikut forcohet përmes hetimeve të paanshme, zbatimit të qëndrueshëm të ligjit, transparencës institucionale dhe komunikimit efektiv me publikun.

Bashkëbisëduesit u angazhuan për të vazhduar dialogun konstruktiv dhe bashkëpunimin për çështje që kontribuojnë në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe avancimin e interesit publik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër