Dialogu Shqipëri-Suedi për integrimin, Balla: Objektiv mbyllja e negociatave brenda 2027-ës

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 maj Zhurnal.mk – Gjatë dialogut parlamentar Shqipëri–Suedi për zgjerimin e Bashkimit Europian, që u zhvillua sot në “Shtëpinë e Europës” në Tiranë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit të plotë në BE.

Balla ritheksoi se objektivi i Shqipërisë mbetet mbyllja e negociatave me Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027, duke e cilësuar procesin e integrimit si prioritetin madhor strategjik të vendit.

Në fjalën e tij, Balla nënvizoi se në këtë fazë të rëndësishme për vendin dhe për vetë Europën, kërkohet bashkëpunim i të gjitha forcave politike në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Në këtë moment kyç për Europën dhe për Shqipërinë, mbetet thelbësore që i gjithë spektri politik në vend të qëndrojë i bashkuar për objektivin tonë madhor strategjik: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian”, u shpreh Balla.

Balla vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Suedisë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet parë si një domosdoshmëri strategjike për të ardhmen dhe sigurinë e Europës.

artikuj të ndërlidhura