Wadephul: Evropa duhet të mësojë nga Ukraina për sigurinë energjetike

Nga D. V.
363 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Berlin, 19 maj, Zhurnal.mk – Evropa duhet të nxjerrë mësime nga qëndrueshmëria e UkrainëS përballë sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, deklaroi sot ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul gjatë një konference ndërkombëtare për sigurinë energjetike.

“Qëllimi sot është të dëgjojmë vendimmarrësit politikë dhe ekonomikë të Ukrainës, komunitetet, shoqërinë civile dhe ekspertët, për të mësuar nga përvoja, fleksibiliteti, këmbëngulja dhe inovacioni i tyre”, tha Wadephul.

Sipas tij, Ukraina ka fituar një përvojë të vlefshme gjatë luftës, të cilën Bashkimi Evropian, e ka urgjentisht të nevojshme për të forcuar rezistencën dhe sigurinë e vet energjetike.

Ai theksoi se infrastruktura e rëndësishme është kthyer gjithnjë e më shumë në një “vijë fronti të përballjes gjeopolitike”, duke paralajmëruar se as Gjermania dhe as aleatët e saj evropianë nuk janë të imunizuar ndaj kërcënimeve.

Ministri gjerman përmendi rritjen e sulmeve hibride ndaj infrastrukturës në Evropë, përfshirë sulmet kibernetike, shfaqjet e dronëve mbi objektet energjetike dhe dëmtimet e kabllove nënujore.

Shumë prej këtyre incidenteve i atribuohen Rusisë, e cila prej më shumë se katër vitesh ka zhvilluar një luftë kundër Ukrainës.

Në konferencë mori pjesë edhe ministri ukrainas i Energjisë, Denys Shmyhal.

Takimi në Berlin mblodhi përfaqësues nga G7-ta, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, si dhe nga biznesi, akademia dhe shoqëria civile, për të analizuar përvojat e Kievit gjatë luftës.

Sipas Wadephul, mbrojtja fizike e infrastrukturës, garantimi i sigurisë kibernetike, aftësia për riparime të shpejta dhe decentralizimi janë elementët kyç të qëndrueshmërisë, në një “epokë të ndërprerjeve të përhershme”.

Ai paralajmëroi se sistemet shumë të centralizuara mund të jenë efikase në kohë paqeje, por bëhen veçanërisht të cenueshme në kohë krize.

Sipas tij, prodhimi i shpërndarë, kapacitetet lëvizëse, mikrorrjetet, magazinimi i energjisë dhe rezervat shtesë rrisin mbijetesën e sistemeve.

“Qëndrueshmëria shoqërore nuk mund të aktivizohet thjesht gjatë një krize. Ajo duhet të ndërtohet paraprakisht”, tha Wadephul.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër