Pekin, 20 maj, Zhurnal.mk – Rusia dhe Kina kanë bërë thirrje për një zgjidhje të qëndrueshme të luftës në Ukrainë, pas bisedimeve të zhvilluara sot në Pekin mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit kinez, Xi Jinping.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas samitit, të dy palët shprehën mbështetje për të gjitha përpjekjet, që kontribuojnë në vendosjen e një paqeje afatgjatë dhe të qëndrueshme, duke theksuar se zgjidhja duhet të arrihet përmes negociatave dhe dialogut.
Deklarata nuk përfshinte një thirrje të drejtpërdrejtë nga Kina që Rusia të ndalë luftën e saj në shkallë të plotë të nisur në shkurt 2022.
Në vend të kësaj, dokumenti përsëriti qëndrimin e Moskës për nevojën e adresimit të asaj që e ajo quan “shkaqe rrënjësore të krizës në Ukrainë”, përfshirë ambiciet e Kievit për t’u bashkuar me NATO-n.
Gjatë takimit, Putin dhe Xi ranë gjithashtu dakord për thellimin e bashkëpunimit ushtarak, përfshirë zgjerimin e manovrave të përbashkëta dhe patrullimeve ajrore dhe detare, si dhe u zotuan të reagojnë së bashku ndaj sfidave dhe kërcënimeve të ndryshme.
Në të njëjtën deklaratë, të dy vendet dënuan sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, duke i cilësuar ato, një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe një faktor që destabilizon Lindjen e Mesme.
Ato bënë thirrje për shmangie të përshkallëzimit, negociata dhe armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, si dhe akses të pakufizuar humanitar për civilët.
Moska dhe Pekini gjithashtu kritikuan atë që e quajtën “logjikë e ligjit të xhunglës” në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe u angazhuan për promovimin e një rendi botëror shumëpolar.
