Rutte: NATO pret njoftimin e SHBA-së për ndryshimet në kontributin ndaj aleancës

Nga D. V.
463 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 20 maj, Zhurnal.mk – NATO pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të njoftojnë ndryshimet në kontributet e tyre ndaj planifikimit të forcave të aleancës, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte.

“Se çfarë saktësisht do të përmbajë njoftimi, duhet të prisni. Nuk më lejohet ta zbuloj”, u tha Rutte gazetarëve në Bruksel.

Modeli i Forcave të NATO-s është kuadri përmes të cilit vendet anëtare vënë në dispozicion trupa për operacione, misione dhe aktivitete të tjera në kohë paqeje.

Gjithashtu, anëtarët e aleancës caktojnë një rezervë më të madhe forcash që mund të dislokohen në rast krize ose konflikti.

Megjithatë, Rutte theksoi se njoftimi nuk do të jetë surprizë për NATO-n.

Sipas tij, debati mbi këtë çështje ka nisur prej një viti dhe ka çuar në rritje të shpenzimeve të mbrojtjes në Evropë, me synim uljen e varësisë së tepruar nga SHBA-ja.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s pritet të mblidhen të premten në Helsingborg, Suedi.

“Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio do të marrë pjesë në takim për të diskutuar nevojën, për rritje të investimeve në mbrojtje dhe ndarjen më të madhe të barrës brenda aleancës”, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

Diplomatët theksuan se këto rregullime nuk nënkuptojnë automatikisht një tërheqje të mëtejshme të trupave amerikane nga Evropa.

Gjenerali amerikan, Alexus Grynkewich deklaroi dje se, në afat të shkurtër, nuk priten njoftime të tjera përveç tërheqjes së rreth 5 000 trupave, të shpallur më herët nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Ai shtoi se, në afat të gjatë, mund të priten ripozicionime të tjera, ndërsa Evropa vazhdon të zgjerojë kapacitetet e saj dhe të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale të kontinentit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër