Magyar: Polonia model për të ardhmen e Hungarisë

Nga D. V.
272 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Varshavë, 20 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar e ka cilësuar Poloninë si një model për vendin e tij, gjatë vizitës së parë zyrtare në Varshavë që kur erdhi në detyrë.

Pas takimit sot me homologun polak, Donald Tusk, kryeministri Magyar deklaroi se Polonia është shndërruar në një fuqi të mesme dhe është më e fortë se kurrë më parë.

Sipas tij, Hungaria duhet të ndjekë shembullin e Polonisë në zhvillimin e infrastrukturës, ekonomisë dhe kapaciteteve të mbrojtjes.

Nga ana e tij, Tusk përshëndeti fitoren e fundit zgjedhore të Magyar, duke e cilësuar atë si një rikthim të Hungarisë drejt Evropës, ndershmërisë dhe demokracisë së mirëfilltë.

“Është gjithashtu një shenjë shprese për miliona njerëz në Evropë dhe në mbarë botën se demokracia, shteti i së drejtës, dinjiteti dhe morali në politikë nuk janë kauza të humbura”, tha Tusk.

Vizita dyditore në Poloni, është udhëtimi i parë jashtë vendit për Magyar në rolin e ri si kryeministër.

Politikani 45-vjeçar siguroi një shumicë votash prej dy të tretash me partinë e tij të qendrës së djathtë, “Tisza”, në zgjedhjet parlamentare të prillit, duke larguar nga pushteti pas 16 vitesh liderin populist të djathtë, Viktor Orban.

Orban akuzohet se gjatë qeverisjes së tij dobësoi sistematikisht demokracinë në Hungari, një kurs që Magyar ka premtuar ta përmbysë.

Shumë analistë e shohin ngritjen e Magyar si të ngjashme me rikthimin politik të Tusk në Poloni.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, Tusk arriti të mposhtë partinë konservatore të djathtë PiS, e cila kishte qeverisur Poloninë për tetë vite, përmes një aleance opozitare pro-evropiane.

Gjatë takimit, Magyar theksoi edhe ndryshimin e kursit të politikës së jashtme të Hungarisë.

“Ukraina është viktimë dhe ka të drejtë të mbrojë veten”, deklaroi ai.

Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është një nga aleatet më të afërta politike dhe ushtarake të Ukrainës në luftën kundër Rusisë.

Në të kundërt, gjatë qeverisjes së Orban, Hungaria u shndërrua në një vend të izoluar brenda BE-së – për shkak të qëndrimeve pro-ruse dhe kritikave ndaj Ukrainës.

Magyar pritet të vizitojë sot, së bashku me Tusk, qytetin bregdetar të Gdansk, vendlindja e kryeministrit polak, për t’u takuar me themeluesin e lëvizjes “Solidarity” dhe fituesin e Çmimit Nobel për Paqen, Lech Walesa.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër