“The Times”: Talibanët lejojnë martesat e vajzave që nga puberteti

Nga D. V.
328 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Afgantistan, 21 maj, Zhurnal.mk – Një raport i publikuar nga “The Times” ka ngritur alarmin ndërkombëtar mbi rregullat e reja të miratuara nga talibanët të cilët po legalizojnë praktikisht martesat e vajzave që nga puberteti, duke hequr kufirin minimal të moshës për martesë në Afganistan.

Sipas dokumentit zyrtar “Principles of Separation Between Spouses”, heshtja e një “vajze të virgjër” që ka arritur pubertetin mund të interpretohet si pëlqim për martesë. Raporti thekson se, sipas interpretimit të shkollës më të vjetër sunnite të jurisprudencës islame, puberteti për vajzat mund të konsiderohet që në moshën nëntëvjeçare.  

Ligji i mëparshëm civil i Afganistanit, i vitit 1977, përcaktonte moshën minimale të martesës në 16 vjeç për vajzat dhe 18 për djemtë, ndërsa martesat nën këtë moshë kërkonin miratimin e babait ose të gjykatës. Ndërkohë, ligji i vitit 2009 për “Eliminimin e Dhunës ndaj Grave” kriminalizonte martesat e vajzave nën 15 vjeç.  

Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, ndryshimet e reja institucionalizojnë martesat e detyruara dhe ekspozojnë vajzat ndaj abuzimeve. Horia Mosadiq, drejtuese e “Conflict Analysis Network”, deklaroi për “The Times” se “nëse një vajzë arrin pubertetin në moshën nëntë apo dhjetë vjeç, ajo konsiderohet ligjërisht në moshë për martesë”.  

Raporti nënvizon gjithashtu se gratë dhe vajzat në Afganistan janë përballur me kufizime të shumta që nga rikthimi i talebanëve në pushtet në vitin 2021, përfshirë ndalimin e arsimit universitar për gratë, kufizime në punësim dhe lëvizje, si dhe mbylljen e institucioneve që mbronin viktimat e martesave të detyruara.  

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër