Rubio propozon “një kapitull të ri” mes SHBA-së dhe Kubës, duke anashkaluar regjimin në Havana

Nga D. V.
317 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 21 maj, Zhurnal.mk – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio u ofroi dje kubanezëve “një rrugë të re” në marrëdhëniet me Uashingtonin, duke anashkaluar qeverinë komuniste të Kubës dhe duke premtuar 100 milionë dollarë ndihmë humanitare për ishullin.

“Në SHBA jemi gati të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet mes popujve dhe vendeve tona”, tha Rubio, prindërit e të cilit emigruan nga Kuba drejt SHBA-së, në një videomesazh në gjuhën spanjolle të publikuar në Ditën e Pavarësisë së Kubës.

Rubio deklaroi se marrëdhënia e propozuar duhet të ndërtohet drejtpërdrejt me popullin kubanez dhe jo me qeverinë komuniste në Havana.

Mes mungesave në rritje të ushqimeve, ilaçeve dhe karburantit në ishull, Rubio tha se Uashingtoni është i gatshëm të ofrojë ndihmë me vlerë 100 milionë dollarë.

Ai shtoi se çdo furnizim duhet të shpërndahet përmes Kishës Katolike ose organizatave humanitare dhe jo përmes konglomeratit ushtarak GAESA, i cili kontrollon pjesë të mëdha të ekonomisë kubaneze.

“Presidenti Trump po ofron një rrugë të re mes SHBA-së dhe një Kube të re”, tha Rubio.

Rubio e publikoi mesazhin në Ditën e Pavarësisë së Kubës, e cila përkujton themelimin e republikës më 20 maj 1902, pas katër vitesh pushtimi amerikan.

Udhëheqja komuniste e Kubës, e ardhur në pushtet pas revolucionit të vitit 1959, e ka refuzuar prej kohësh republikën para revolucionit dhe qeveritë e mbështetura nga SHBA-ja.

Presidenti kubanez, Miguel Díaz-Canel kritikoi deklaratën Rubios në një postim në platformën X, duke thënë se kjo datë simbolizon “ndërhyrjen, imponimin, zhveshjen nga të drejtat dhe zhgënjimin” në historinë e Kubës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër